Haradinaj akuzon kryeministrin Kurti për majtizëm ekstrem, armiqësim me sektorin privat e sindikatat

Prishtinë | 04 Jan 2022 | 21:27 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se majtizmi ekstrem po e dërgon Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen drejt luftës së klasave dhe në luftë kundër aleatëve të Kosovës.

Në një postim në Facebook me titullin “Kjo është qeveria Kurti”, kreu i AAK-së ka numëruar veprimet e gabuara që po bën kryeministri i Kosovës.

Mes tjerash, Haradinaj ka numëruar armiqësimin me sektorin privat e sindikatat, si dhe luftën kundër UÇK-së.

Postimi i plotë:

Kjo është qeveria Kurti:

  • Mbushja shpejt e arkës dhe shterimi i burimeve
  • Frikësimi i kapitalit vendor, nxjerrja jashtë e tij dhe si rezultat ulja e investimeve.
  • Armiqësimi me sektorin privat dhe si rrjedhojë thellimi i mosbesimit të tyre dhe mospërkrahja nga ana e tyre e qëllimeve ekonomike
  • Lufta kundër UÇK-së, e zhvilluar si luftë ndaj pushtetit të keq të dy dekadave, e që si pasojë ka zbehjen e patriotizmit dhe të ndjenjave atdhetare për shtet.
  • Në politikë të jashtme, i frikësuar nga dialogu dhe i frikësuar nga Amerika.
  • Në siguri dhe rend publik, improvizime dhe lëvizje eksperimentale, kryesisht populiste, përfshirë edhe luftën kundër krimit.
  • Politizim i iniciativave ligjore me agjendë partiake.
  • Mosimplementim i pavarësisë energjetike dhe faturimi i energjisë në Veri, si rezultat pagesa e dhjetëra milionave për rrymën e shpenzuar në Veri.
  • Refuzim dhe dëmtim i mundësive investive në energji, i projekteve si Kosova e Re, Contour Global 500 MW dhe Gazsjellësi Amerikan me 200 milionë dollarë falas.
  • Zhytja në korrupsion përmes tenderomanisë, pra tenderë njëburimor, dhënia e punëve punëdhënësve të mëhershëm, i pasuar me familjarizëm, pra punësime të familjarëve në poste kyçe, e pastaj politizim i bordeve të kompanive. E gjitha kjo në funksion të një lidhjeje të shkurtër për korrupsion dhe veprime joligjore, e që janë alarm për Kosovën.
  • Sulmet e ulëta nga militantët imagjinarë në internet, të paguar me parat e buxhetit të popullit, e tregojnë fytyrën e kësaj Qeverie. Të gjitha këto sulme vijnë si rrjedhojë e mungesës së vizionit dhe të pafuqisë me veprim qeverisës.
  • Mosbuxhetimi dhe mosmiratimi i ligjit të pagave dhe lufta kundër sindikatave, poashtu është alarm në vete.

Pra mund të themi që majtizmi ekstrem po e dërgon Kurtin dhe Vetëvendosjen drejt luftës së klasave dhe në luftë kundër aleatëve, që nënkupton po ia vështirëson Kosovës mundësinë e ecjes përpara!

Të ngjashme