Haradinaj: Ambasada e Kosovës në SHBA më injoroi sipas direktivave të Kurtit

Prishtinë | 13 Maj 2022 | 00:07 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është duke qëndruar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ish-kryeministri të mërkurën njoftoi se është pritur nga emisari amerikan Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euro-Azisë.

Lidhur me këtë takim, deputeti opozitar tha se e ka njoftuar qeverinë dy javë përpara, por shtoi se është injoruar nga ambasada e Kosovës në Washington me direktiva të kryeministrit Albin Kurti.

“Unë kam qenë kryetar qeverie dy herë edhe pse shkurt, jam i respektueshëm ndaj obligimeve të mia. Tani si deputet, unë i kam njoftuar me kohë ambasadën e Kosovës në ShBA për agjendën time. Qeveria Kurti e ka ditur për takimin tim me zotin Escobar dy javë përpara”, u shpreh ai.

“Pra, unë s’i kam fshehur asnjë detaj të angazhimit tim. Kam kërkuar logjistikë nga ambasada, pra jam injoruar nga ambasada e Kosovës në Washington, si dhe nga konsullata në Nju York, me siguri me direktiva të Kurtit dhe të Qeverisë. Unë i kam njoftuar me kohë institucionet tona. Kam punuar në interes të Kosovës, pasi kam deklaruar disa herë se miqësia jonë me Amerikën është e dy popujve, jo e politikanëve”, deklaroi Haradinaj në Kanal 10.

Të ngjashme