Haradinaj: Çështja e vizave zgjidhet për 3 muaj (Video)

Prishtinë | 21 Maj 2017 | 19:39 | Nga

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-NISMA, Ramush Haradinaj, thotë se me fillimin e punës së një komisioni të ri për Demarkacionin, procesi i liberalizimit të vizave s’do të zgjasë më shumë se tre muaj.

Në një takim me qytetarë në Prizren i mbajtur pasditen e së dielës, Haradinaj ka thënë se Qeveria e drejtuar nga ai tashmë e ka të qartë se si do ta zgjidhë çështjen e demarkacionit por kufiri do të mbetet në Çakor.

“Unë mendoj që në afat rekord kjo temë lëvizë pra e shtimë një proces që me mujtë me i thanë BE’së ne kemi marrë drejtim me këtë temë, urdhëroni veproni me liberalizim të vizave. Nëse e krijojmë një komision të ri për Demarkacionin i cili ka të gjeturat e reja ne fillojmë procesin e ri e ju thojmë atyne është në rrugë me u zgjidh”, tha Haradinaj.

Sipas Haradinajt, me formimin e Komisionit të ri për demarkacion procesi i liberalizimit të vizave nuk do të zgjasë më shumë se tre muaj.

Unë nuk shoh periudhë më të gjatë se tre muaj nga momenti i nisjes së punës për liberalizim”, tha Haradinaj.

Një komision për demarkacionin e kishte krijuar edhe kryeministri në detyrë, Isa Mustafa. Në krye të tij ishte kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Hivzi Islami.

Ky komision kishte dalë në terren për të bërë matjet, sipas versionit të Qeverisë së Kosovës. Kishte ardhur në përfundim se kufiri është ai që përcaktohet në marrëveshjen për demarkacion mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Por të gjeturat e këtij komisioni ishin kundërshtuar nga opozita, pjesë e së cilës ishte edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme