Haradinaj del përpara organeve franceze të drejtësisë

Prishtinë | 05 Jan 2017 | 08:36 | Nga

Një anëtar i kryesisë dhe njëkohësisht zëdhënës i AAK-së, Muharrem Nitaj, i tha Radios Evropa e Lirë se pritet që “Haradinaj të dalë [të enjten] përpara organeve të drejtësisë në Francë”

Një burim i gjyqësisë në Francë i tha agjencisë së lajmeve Reuters se hetuesit, të enjten, do të fillojnë shqyrtimin nëse kishte arsye që të mos zbatohej kërkesa për ektradim, posacërisht nëse ajo është lëshuar për qëllime politike.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ndalua të mërkurën nga policia franceze në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga policia e Serbisë.

Zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Valon Murtezaj, i tha Radios Evropa e Lirë se “komunikimi me autoritetet franceze gjatë ditës është intensifikuar” dhe se kjo është tani “çështje ligjore”.

“Tani është çështje e procedurave ligjore dhe përmbylljes së tyre”, tha Murtezaj.

Anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi i tha Radios Evropa e Lirë se Haradinaj është ndaluar në aeroportin e Bazelit në pjesën franceze..

“Atë që ne e dimë është se ai është ndaluar nga autoritetet franceze dhe është në pritje”, tha Arifi.

Kosova kërkon lirimin e Haradinajt

Ndërkohë, autoritetet në Kosovë thonë se kanë vënë kontaktet me autoritetet në Francë për lirimin e zotit Haradinaj.

Qeveria e Kosovës, përmes një njoftimi, tha se “të gjitha dikasteret kompetente të saj po angazhohen me prioritet për sqarimin e shpejtë të rrethanave të ndalimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe tejkalimin e situatës së krijuar si pasojë e aktakuzave të paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë”.

Ministria e Jashtme dhe ajo e Drejtësisë thonë se kanë nisur “përmes Ambasadës në Paris notat verbale dhe kërkesat për lirimin sa më të shpejtë të zotit Haradinaj”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një publikim në rrjetin e tij social facebook ka shkruar se “ndalimi i zotit Haradinaj është i dënueshëm dhe i papranueshëm”.

“I dënueshëm dhe i papranueshëm, në çdo rrafsh, është ndalimi i z. Haradinaj në cilindo shtet të botës, vetëm për shkak të një urdhër-arresti të shtetit të Serbisë” , shkruan Thaçi.

AAK, thirrje qeverisë së Kosovës të ndërpres komunikimin me Serbinë

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një kumtese të saj e ka cilësuar si një “veprim krejtësisht të padrejtë dhe të papranueshëm” ndalimin e zotit Haradinaj.

“U bëjmë thirrje autoriteteve franceze që t’i mundësojnë zotit Haradinaj që të vazhdojë udhëtimin e tij i papenguar dhe kërkojmë nga autoritet e Bashkimit Evropian dhe të shteteve evropiane veç e veç që të mos pengojnë lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës, sipas urdhërarresteve të paligjshme të Serbisë”, thuhet në kumtesë.

AAK i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që, siç thotë, “të ndërpres çdo komunikim me Serbinë deri sa ajo të mos i tërheqë fletarrestet ndërkombëtare kundër personaliteteve të Kosovës”.

Ramush Haradinaj qe arrestuar edhe në vitin 2015 në Slloveni në bazë të fletarrestit të policisë së Serbisë të vitit 2004 dhe qe mbajtur për disa ditë në arrest në Lubjanë.

Zoti Haradinaj u shpall në vitin 2012, i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte nga një Gjykatë Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ish Jugosllavi. Rigjykimi në vitin 2012, u bë katër vjet pas një vendimi të së njëjtës Gjykatë e cila më 2008 e nxori të pafajshëm nga të gjitha akuzat që e ngarkonin për shkelje të ligjeve të luftës.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës. Ai u dorëzua vullnetarisht në Gkyaktës e Hagës, pasi prokuroria e akuzoi atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj, për krime lufte.

Haradinaj ishte komandant i lartë i ish-UCK-së dhe pas luftës themelues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një parti parlamentare të cilën ai e udhëheq edhe sot.(REL)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme