Haradinaj: Dreshaj është mundësia e punësimeve dhe investimeve

Istog | 14 Dhj 2017 | 21:48 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati i AAK-së për kryetar të Istogut, Gani Dreshaj, i shoqëruar nga kreu i partisë, kryeministri Ramush Haradinaj, ka vazhduar sot fushatën e tij zgjedhore në fshatin Rakosh.

Pasi kanë konstatuar se ky është ndër fshatrat më të varfra jo vetëm në Istog, Dreshaj dhe Haradinaj i kanë ftuar banorët që të dielën të votojnë për ndryshimin.

Kreu i Qeverisë, Haradinaj, iu tregoi banorëve të Rakoshit, se pikërisht sot kanë mbajtur një konferencë për bujqësinë dhe se për vitin 2018 kanë paraparë 47.8 milionë euro në Programin e Zhvillimit Rural dhe të Pagesave Direkte.

“Po ju siguroj që një pjesë e këtyre pareve kanë me mbërri edhe te ju”, tha ai.

Haradinaj ka premtuar mbështetje edhe për një premtim të Dreshajt për rregullimit e ujit për Rakoshin.

“Gania e ka shpirtin e sipërmarrësit, nuk mundet me ndejt”.

Kryeministri premtoi mbështetje edhe për premtimin tjetër të bashkëbartiakut të tij për ndërtimin e një konvikti për studentët istogas; megjithëse e pranoi se në fillim i është dukur “projekt pa lidhje”.

“Gania është mundësia e punësimeve, e investimeve strategjike”, ka deklaruar Haradinaj, i cili ka paralajmëruar disa investime nga kompani gjermane në Istog.

E Dreshaj ka folur për punë konkrete që do të kryejë në fshatin Rakosh, nëse e merr besimin ta drejtojë Komunën e Istogut.

Mes tjerash, ai ka premtuar rregullimin e çështjes jetike të ujit. “Ju premtoj që pas 1 qershorit nuk keni me pi ujë prej vadave”, u shpreh Dreshaj.

“Ju premtoj që nëse i maroj 3 km asfalt, ai ka me qëndru për tanë jetën… E nëse ngjitet rryma, shtyllat nuk ka me i rrëzu fryma”, u shpreh ai, duke aluduar në kualitetin e dobët të punëve të kryera nga qeverisja e kaluar.

Gani Dreshaj, më 17 dhjetor, do të përballet me Haki Rugovën e LDK-së, në zgjedhjet e balotazhit që u përsëritën për shkak të parregullsive të konstatuara nga KQZ-ja. Istogu, prej pasluftës, është udhëhequr gjithmonë nga LDK-ja.

Të ngjashme