Haradinaj e Bulliqi ftohen të sqarojnë “falsifikimet” në demarkacion

Prishtinë | 20 Dhj 2017 | 15:11 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i komisionit të emëruar nga ai, Shpejtim Bulliqi, janë ftuar që të raportojnë para Komisionit për Punë të Jashtme, javën e ardhshme.

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga kryetarja Vjosa Osmani, vendosi që Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, ta shqyrtojë më 26 dhjetor.

Anëtarët e Komisionit u dakorduan që gjatë shqyrtimit të këtij projektligji në mbledhje të jenë të ftuar kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, si dhe përfaqësuesi i Komisionit Qeveritar (Komisioni i emëruar nga kryeministri Haradinaj), përkatësisht Shpejtim Bulliqi, kryetar i këtij Komisioni.

Anëtarë të këtij komisioni thanë se Haradinaj dhe Bulliqi duhet të japin disa sqarime rreth pretendimeve të komisionit të ri se ka pasur falsifikime të hartave nga Komisioni paraprak, i udhëhequr nga Murat Meha.

Kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani nga LDK, tha se këto pretendime se ka vepër penale nuk duhet të jetë në komision pa pasur sqarime.

Visar Ymeri, nga Vetëvendosje, tha se Haradinaj duhet të sqarojë pretendimet për falsifikim të hartave para komisionit.

“Konsideroj që ka nevojë për informata shtesë për procesin se si ka ardhur te marrëveshja e parë. Ende nuk ka një elaborat të saktë se si është vendosur në dy komisionet shtetërore ajo pikë kufitare”, tha Ymeri.

Nënkryetarja e këtij komisioni, Time Kadriaj, tha se është mirë të pritet afati ligjore. Sipas saj, nuk është e nevojshme me u shkel ligji për këtë çështje.

Ilmi Reçica tha se nuk është problem sepse do ta votojnë. Kurse Aida Dërguti, tha se nëse komisioni ka gjetur vepra penale atëherë është shumë e rrezikshme procedimi i marrëveshjes në Kuvend.

Pas kësaj është prezantuar hulumtimi parlamentar mbi analizën buxhetore të MPJ-së dhe MDIS, ndërkaq, në fund të këtij takimi, u vendos që anëtarët e Komisionit: Danush Ademi, Time Kadrijaj dhe Doruntinë Maloku, të jenë përfaqësuesit e Komisionit për pjesëmarrje në programin trajnues në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel.

Lexo më shumë:

Të ngjashme