Haradinaj edhe të dielën pret e përcjell

Prishtinë | 12 Nën 2017 | 18:56 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, edhe këtë të diel, megjithëse ditë pushimi, e ka shfrytëzuar të presë në zyrën e tij shumë delegacione, përfshirë përfaqësues të shoqatave, bizneseve, sindikatave, pensionisteve etj.

Në orët e mbrëmjes, Zyra e Kryeministrit ka treguar se Haradinaj ka pritur në takim përfaqësues të vreshtarëve dhe verëtarëve të Kosovës, të cilët thuhet se “e përgëzuan atë për punën e madhe që po bënë në rikthimin e besimit në institucione”.

Delegacioni i përbërë nga Ismet Haxhimurati, kryetar i Shoqatës, Fejzullah Berisha, nënkryetar, nga menaxherët Nevzat Haxhijaha, Hamëz Rama dhe Ylber Bajraktari, Avdi Gecaj, pronar i “Stone Castle”, diskutuan me kryeministrin për sfidat dhe sukseset e kësaj fushëveprimtarie që në Kosovë është kulturë me traditë shekullore.

Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria që ai drejton është partner me prodhuesin vendor të cilin nuk do ta lërë të vetëm në asnjë rrethanë dhe në këtë kontekst do të përshpejtojë hapat, duke mundësuar që edhe vreshtarët dhe verëtarët kosovarë të pushtojnë tregjet e jashtme

Përfaqësuesit e vreshtarëve dhe verëtarëve kërkuan që të krijohen lehtësira për tejkalimin e problemeve me të cilat përballen në eksport, në mënyrë që të mund të jenë konkurrentë në tregun e jashtëm.

Më herët, Kryeministri ka dërguar njoftime që shoqërohen dhe me foto se Haradinaj ka pritur në zyrën e tij Lidhjen e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Kosovës, të përfaqësuar nga kryetar i Shaban Kajtazi; përfaqësuesit e Shoqatës së të burgosurve politikë të prirë nga Hydajet Hyseni dhe Meriman Braha; kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini dhe nënkryetarin Atdhe Hykolli dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, kryesuar nga Besim Kuqi.

Paradite, Haradinaj mori pjesë në shënimin e Ditës Përkujtimore të Mbretërisë së Bashkuar.

Takime të shumta, ai pati edhe të shtunën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme