Haradinaj emëron edhe dy zv.ministra

Prishtinë | 22 Kor 2019 | 15:50 | Nga Ekonomia Online

Qeveria Haradinaj ka qenë vazhdimisht në cak të kritikave për shkak të numrit të madh të zëvendësministrave e këshilltarëve të tyre, por edhe për shkak të shpikjes së pozitave të ndryshme për të rehatuar sa më shumë njerëz.

E për të mos mjaftuar numri mbi 80 i zëvendësministrave të kësaj qeverie në largim, kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj, mësohet se ditë më parë ka emëruar edhe dy të tjerë.

Bëhet fjalë për Kadri Kastratin që është emëruar në postin e zv/ministrit të Mbrojtjes, si dhe Myzejene Selmanin, e cila ka zënë postin e zv/ministres së Bujqësisë, raporton Koha.Net.

Emërimi i tyre, sipas burimit, është bërë para se kryeministri të jepte dorëheqjen në mbledhjen e qeverisë të ditës së premte.

Atë ditë, kryeministri tashmë në dorëheqje, tha se arsye për këtë vendim ishte ftesa e Gjykatës Speciale për t’u paraqitur si i dyshuar. Ai tha se nuk dëshiron që atje të shkojë si kryeministër i vendit, por si Ramush Haradinaj.

Pas këtij vendimi, Haradinaj ka kërkuar nga Presidenti Thaçi që të shpallë datën e zgjedhjeve parakohshme, gjë të cilën e kanë kërkuar edhe pothuajse të gjitha partitë tjera politike.

Haradinaj emëron edhe dy zv.ministra
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme