Haradinaj: Familja Jashari ndërroi kohën për Kosovën

Prishtinë | 05 Mar 2018 | 10:39 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në një fjalë rasti për nderë të 20-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se familja Jashari ndërroi kohën për Kosovën.

“Na është dhënë një jetë dhe një atdhe. Disa vendosën që jetën të ja falin atdheut. Familja Jashari ndërroi kohën. Historia thotë se është mësuesi më i mirë përderisa nuk përsëritet dhe jam i bindur që ajo nuk do të përsëritet përderisa jemi unik. Kur kujtojmë rënien e tyre duhet të shikojmë se ku jemi në raport me një shtet modern”, tha Haradinaj.

“Duhet ta ndërtojmë një Kosovë të denjë për të gjithë qytetarët pa dhunë dhe pa shtypje. Ne kemi hequr 20 vjet në liri por liria ka dimensione të tjera, duhet të jemi një shtet unik”.

Sipas tij qytetarët e vendit duhet të mbrojnë idealet e shtetit të Kosovës dhe se viti 2018 do të jetë vit i Trepçës dhe i studentëve.

Fjala e plotë e Kryeministrit Haradinaj: 

Të dashura familje dëshmorësh e heronjsh, familje të martirëve,

Shoqata të dala nga lufta,

Përfaqësues të familjeve të kategorive të lirisë,

E nderuara Familje Jashari, i dashur bacë Rifat Jashari

I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli

Të nderuar deputetë, kabinet qeveritar, media, kor diplomatik

Qytetarë të Kosovës, shqiptarë kudo që jeni.

 Një jetë na është dhënë të gjithëve dhe një Atdhe!

Disa nga më të mirët tanë zgjodhën që jetën t’ia dhurojnë atdheut. Përpara frikës zgjodhën rezistencën, përpara poshtërimit zgjodhën kryengritjen, përpara dorëzimit zgjodhën shpresën.

Familja Jashari përshpejtoi kohën, përmbysi shekujt, ndërroi epokat dhe mbeti përjetësisht në kujtesën e kombit, si rast unik i flijimit për liri e dinjitet.

Historia thonë se është mësuesi më i mirë për aq sa ajo nuk na përsëritet.

Dhe, jam i bindur se ajo nuk do të përsëritet, përderisa jemi unikë dhe nuk kemi frikë ta shohim të sotmen dhe të nesërmen në sy.

Sot, kur po e shënojmë 20-vjetorin e Epopesë së UÇK-së dhe rënies së Jasharëve, komandantit legjendar Adem Jasharit, Hamzës dhe 21 anëtarëve të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit, dhe gjithë të rënëve për liri, duhet të shohim së pari ku jemi në raport me ndërtimin e shtetit modern, në raport me kategoritë e lirisë, familjet e dëshmorëve e të heronjve dhe në raport me invalidët e luftës.

Të shohim se sa ne politikanët u kemi qëndruar afër atyre familjeve në përballje me jetën e me të vërteten?

Historia na mëson që të lidhemi rreth idesë së Madhe të Shtetit Sovran, si kulm shtëpie për të gjithë ne.

Për këtë shtëpi ranë në altarin e lirisë me buzëqeshje në fytyrë dhe krenari në shpirt, bijat dhe bijtë e zgjedhur të atdheut. 

Njëzet vjet, pas flijimit heroik të familjes Jashari për lirinë e vendit, duhet të reflektojmë për të djeshmen, të sotmen dhe rrugën tonë drejt të ardhmes.

Brezat e rinj të shqiptarëve dhe miqtë e Kosovës na porosisin që ta ndërtojmë paqen për të gjithë, sepse ajo është më e vështirë se lufta, pra ta ndërtojmë një Kosovë të denjë për të gjithë qytetarët, të tillë çfarë e ëndërruan dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës, pa dhunë e shtypje, pa padrejtësi e nëpërkëmbje.

Ne, kemi ecur njëzet vjet në liri dhe të arriturat janë të dukshme.

Por liria ka dimensione tjera: Liria, për të pasur një kulm mbi krye, një punë për secilin që dëshiron të punojë, një shtet, pasaportën e të cilit nuk e shohin tjerët me dyshim.

Prandaj nga këtu, i ftoj të gjithë shqiptarët, gratë dhe burrat, partitë politike dhe liderët e tyre si dhe komunitetet me të cilët bashkëjetojmë, për unitet institucional dhe kohezion shoqëror, për t’i mbrojtur idealet e lirisë, për të ndërtuar Kosovën e së ardhmes!

Kosovën ku të gjithë frymojnë lirshëm

Kosovën shtëpi e të gjithëve, pa dallim

Kosovën, ku qytetarët gëzojnë të drejtën e natyrshme të lëvizin lirshëm

Kosovën pjesë e familjes evropiane

Kosovën pjesë e NATO-s dhe e OKB-së

 Ne synojmë një ekonomi prosperuese, si vlerë e shtuar e demokracisë, duke shfrytëzuar racionalisht resurset natyrore që na i ka falë zoti.

Investimi mbi një miliardësh në energji siguron pavarësinë energjetike të vendit, ndërsa 2018-a do të jetë Vit i Trepçës!

Do ta arrijmë një edukim cilësor që studentët tanë të konkurrojnë me dije në tregjet e punës në Bashkimin Evropian dhe më gjerë!

Do të kemi shërbime shëndetësore moderne dhe ambient të shëndoshë.

Dhe ajo më kryesorja, shteti ynë do të jetë shteti i së drejtës!

Sot me respekt përulemi para të rënëve për liri.

 Lavdi e përjetshme për të gjithë gratë e burrat, për të gjithë të rënët për liri të atdheut!

Lavdi e përjetshme për komandantin legjendar Adem Jashari dhe familjen Jashari!

Zoti e bekoftë kombin tonë.

 

 

Të ngjashme