Haradinaj flet për marrëveshjen e Uashingtonit, e sheh problematik mini-Shengenin

Prishtinë | 06 Nën 2020 | 20:22 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se mini-Shengeni ballkanik është problematik në zbatim, për shkak të, siç ka thënë ai, jo-stabilitetit ekonomik të Kosovës në krahasim me vendet e rajonit.

Haradinaj, përgjatë emisionit ‘Balkan Talks’ në Euroneës, ka thënë edhe se fillimisht do të donte që Kosova të kishte fillimisht një marrëveshje ekonomike me Shqipërinë.

“Ne kemi mirëprit marrëveshjen e Uashingtonit si arritje historike e Kosovës, kjo arritje është falë angazhimit të presidentit Trump dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij. Kjo u pa me cermoninë e nënshkrimit. Një nga shqetësimet janë zbatimi i mini-Shengenit, pasi që ekonomia është më e vonuar sesa vendet e rajonit. Fillimisht, do donim të kishim një bashkëpunim rajonal me Shqipërinë”, deklaroi Haradinaj.

Tutje, ai ka folur edhe lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se Brukseli nuk po shtyn pwrpara proceset politike.

“Çdoherë suksesi vjen nëse situata është deshifruar mirë nëj situatë e caktuar. Për ta deshifruar mirë këtë situatë ne duhet t’i dimë agjendat e Serbisë, e partnerëve evropian, si dhe dinamikat e Uashingtonit lidhur me rajonin. Me sa e shoh unë është një periudhë e një vakumi, pasi që Uashingtoni zyrtar është në proces të zgjedhjeve, ndërsa Brukseli po qëndron në status quo”, ka deklaruar ai.

Të ngjashme