Haradinaj flet për rrugëtimin e AAK-së për 20 vjet, thotë se do ta respektojnë vendimin e Kushtetueses

Prishtinë | 02 Maj 2020 | 13:15 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në 20 vjetorin e themelimit të AAK-së, kreu i kësaj partie Ramush Haradinaj ka thënë se kjo parti ka qenë pjesëmarrëse e të gjitha proceseve që ka kaluar Kosova, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj me këtë rast tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e respekton vendimin e gjykatës kushtetuese e cila vendosi masë të përkohshme deri më 29 maj për dekretin e presidentit që Avdullah Hoti partneri i AAK-së, të zgjidhet kryeministër i Kosovës.

“Tani politika dhe të gjithë i obligohemi institucioneve të gjyqësorit. Aleanca respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe sillet në përputhje të plotë me këtë vendim. Pra ne e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese me përpikëri”, tha ai.

Haradinaj para medieve ka folur edhe për rrugëtimin 20- vjeçar të partisë së tij. Sipas tij, AAK ka qenë subjekt i rëndësishëm në shtetbërjen e Kosovës. Ai ka thënë se AAK është e shquar për konsistencën e saj  duke  qëndruar fuqishëm në mbrojtjen e interesave nacionale e shtetërore të Kosovës, duke u rreshtuar në kursin e vlerave demokratike e pro perëndimore.

” E sfiduar që prej themelimit të saj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në jëtën e vet politike, ka qenë pjesëmarrëse e të gjitha proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova, që nga shërimi i plagëve të luftës, shpallja e pavarësisë, e deri te ndërtimi i kapaciteteve shtetërore të Kosovës. E shquar për konsistencën e saj, Aleanca ka qëndruar fuqishëm në mbrojtjen e instersave nacionale e shtetërore të Kosovës, duke u rreshtuar në kursin e vlerave e të parimeve propërendimore e veriatlantike. Ajo në dy mandate ka udhëhequr me qeverinë e vendit, në vitin 2004 dhe në vitin 2017. Në mandatin e parë të Aleancës në Qeverinë e Kosovës, për të parën herë në histori është krijuar Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Drejtësisë, kompetëncë e marrur nga UNMIK-u. Poashtu nën drejtimin e Aleancës në vitin 2004, Qveria ka vendosur themelet e pavarësisë në ardhje të Kosovës , (standardet para statusit) gjë e cila edhe ka kulmuar me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me 2008. Gjatë qeverisjes së mandatit të fundit, qeveria nën drejtimin e saj, ka bërë të mundur, krijimin e ushtrisë së Kosovës, realizimin e të drejtës pronësore mbi TREPCËN, pavarësimin energjetik, rikthimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, ndaljen e skenarëve për prekjen e kufijve dhe copëtimin e vendit”, tha Haradinaj.

Ai ka thënë se edhe në planin lokal, AAK-ja ka qenë ndër partitë më të suksesshme. Sipas tij,

AAK ka qeverisur ose bashkëqeverisur, pothuaj me të gjitha komunat e Kosovës. Kontributi i saj në qeverisjen lokale, ka qenë i një rëndësie jetike për qytetarin. Sot, Aleanca udheheq me 7 komuna, dhe bashkëqeveris me po kaq.

“Por pasuria më e madhe e AAK për këto 20 vjet, kanë qenë anëtarët dhe përkrahësit e saj besnikë të cilët nuk jan lëkundur asnjëherë duke besuar në vizionin dhe politikën e Aleancës. Njerëz të moshave e profileve të ndryshme, që janë shumë e që vazhdimisht kanë ardhur duke u shtuar. Një falëndërim dhe mirënjohje për secilin veç e veç. Me besim në Zot, Aleanca i qëndron besnike Shtetit e Atdheut, familjes e pronës private që është e shenjtë, Besnike ndaj jetës, të drejtës dhe lirisë së individit. E udhëhequr nga vlerat tradicionale shqiptare e me orientim euroatlantik. Gjithmonë për ligj e drejtësi të barabartë për të gjithë”,tha Haradinaj.

Haradinaj është shprehur se Kosova është edhe e miqve që ndihmuan në bërjen e shtetit.

” Te Shqiptarët thonë se shpija është e zotit dhe e mikut…Prandaj Kosova sa është e jona është edhe e miqve, e Amerikës dhe e Evropës. Kosovën e kemi bërë bashkë dhe bashkë do ta forcojmë”, tha ai.

Të ngjashme