Haradinaj: Forcimi i Kosovës përshpejtohet nga bashkëpunimi me Shqipërinë

Korçë | 27 Nën 2017 | 16:52 | Nga Kaltrina Zymberi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Korçë, tha se takimi i përbashkët përmbledh në vete një ëndërr euroatlantike.

“Ky takim përmbledh në vete ëndrrën tonë euro-atlantike që më së miri e realizojmë së bashku”, tha Haradinaj, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj në këtë takim ka përmendur edhe çështje të tjera të zhvillimeve në Kosovë, duke theksuar punën për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në  ushtri e anëtarësimin në NATO.

“Dëshiroj të apeloj se vetëm së bashku, edhe Shqipëria mund ta ndihmojë Kosovën në njohjen nga vendet tjera, kështu mund të forcohet shteti jonë. Forcimi i Kosovës përshpejtohet mes bashkëpunimit të Kosovës me Shqipërinë. I kemi dhënë rëndësi rendit dhe ligjit. Kemi përkrahë Këshillin Gjyqësor, Prokurorial dhe parametrat tashmë flasin për rendin e ligjin. Punë e mëtutjeshme mbetet luftimi i krimit dhe korrupsionit.Duhet të bëjmë më shumë punë në logjistikë, infrastrukturë e nevojshme”.

“Dialogun e mendojmë tani në momentet finale dhe mendojmë se epilogu duhet të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia. Dialog ky i lehtësuar nga SHBA.
Kemi dërguar sinjale të duhura për marrëdhënie të mira fqinjësore”, u shpreh kryeministri.

Takimi i përbashkët i dy qeverive që po mbahet me rastin e Ditës së Flamurit, gjatë 28 nëntorit pritet të zhvendoset në Vlorë. Ndërsa pritet firmosja e 12 marrëveshjeve për të thelluar bashkëpunimin në mes të dy vendeve.

Në orën 17:30 të dy kryeministrat pritet të dalin me një konferencë të përbashkët për medie.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme