Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ftuar subjektet politike që garojnë në zgjedhjet e 19 majit 2019 në komunat e veriut të përfaqësojnë interesat e qytetarëve duke shfrytëzuar të drejtën e tyre kushtetuese.
“Pas vendimit të Presidentit të Republikës së Kosovës, për shpalljen e zgjedhjeve në Komunat e Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq, dhe Mitrovicë e Veriut, ftoj subjektet politike të cilat garojnë në zgjedhjet e 19 Majit 2019, ta shfrytësojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, duke marrë pjesë në këto zgjedhje”, ka shkruar ai në Facebook.
Po ashtu ka ftuar edhe qytetarët e këtyre komunave të dalin të votojnë.
“Gjithashtu ftoj qytetarët e këtyre Komunave për të dalë në këto zgjedhje dhe të votojnë kandidatët më të mirë, që do të punojnë në të mirën e qytetarëve të këtyre komunave. Bëj thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet tona dhe standardet më të larta demokratike ndërkombëtare”.