Haradinaj pret në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall

Prishtinë | 03 Kor 2019 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, me të cilën ka biseduar për aktualitetin politik, çështjen e liberalizimit të vizave, bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve si dhe e ka uruar për marrjen e kryesimit të Këshillit të BE-së nga Finlanda.

Në këtë takim Haradinaj e ka njoftuar ambasadoren për prioritetet e Qeverisë së Kosovës në zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe orientimin euroatlantik të shtetit të Kosovës.

Haradinaj e ka falënderuar ambasadoren Stjernvall dhe shtetin e Finlandës për përkrahjen e Kosovës deri më tani në të gjitha fazat e shtendërtimit, në të njëjtën kohë ka kërkuar që Finlanda gjatë kryesimit të Këshillit të BE-së, të luaj rol mbështetës edhe në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave, si një e drejtë e merituar për popullin e Kosovës.

“Me marrjen e kryesimit të Këshillit të BE-së, Finlanda mund të luaj rol të rëndësishëm në avancimin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën”, tha Haradinaj dhe vlerësoi se institucionet e Kosovës kanë përmbushur të gjitha kriteret e vëna nga Bashkimi Evropian, andaj lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës është domosdoshmëri.

Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, vlerësoi progresin e Kosovës, duke thënë se Finlanda do të vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën në të gjithë fushat e interesit të përbashkët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme