Haradinaj i pakënaqur, mesazh Kurtit: Nëse s’je qeveri, do të shihet me 31 gusht

Prishtinë | 01 Gus 2022 | 12:10 | Nga Ekonomia Online

Sipas Haradinajt. çdo veprim i lënë në gjysmë të rrugës, është humbje për Kosovën. Ai thotë se pezullimin prej një muajsh, Qeveria duhet ta shfrytëzojë për zbatim te reciprocitetit “me shumë seriozitet”.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, tani kryetar i partisë opozitare AAK,  është shprehur i pakënaqur me veprimin e Qeverisë në lidhje me reciprocitetin.

“Kosova nuk e ka komoditetin të bëjë eksperimente. Operacionet e sigurisë për shtrirjen e sovranitetit, duhet të studiohen, të analizohen e të shpjegohen mirë. Çdo veprim i lënë në gjysmë të rrugës, siç ishte ai i mbrëmshmi, është humbje për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj sot në Facebook.

Ish-kryeministri që përkrahu dje Qeverinë për vendosjen e reciprocitetit, thotë se zbatimi i ligjit nuk ka opsion tjetër dhe duhet të bëhet në bashkërendim me aleatët e sigurisë.

“Zbatimi i rendit dhe ligjit është i pa alternativë dhe duhet të bëhet në konsultim të ngushtë me aleatët e sigurisë”

“Afati prej 30 ditësh për zbatimin e reciprocitetit duhet të shfrytëzohet me shumë seriozitet”, shkruan tutje Haradinaj.

Ai thotë se Kosovë, përvec nga bandat kriminale në veri, po dobësohet edhe nga “të paditurit e praktikantët në qeveri”.

“Kushtetuta e vendit është më e fortë sesa kriminelët në veri, e të paditurit e praktikantët në qeveri”, shkruan ish-kryeministri.

Në fund, ai i bën një thirrje Qeverisë.

“Qeveri, nëse hala je qeveri, voto ligjet e forcoje Policinë, ligjn për paga dhe ligjet për sigurim shëndetësor e pensional. Nëse s’je qeveri, do të shihet me 31 gusht”.

Të ngjashme