Haradinaj i përgjigjet Hotit: Shyqyr që s’ke folur për autobusë në Bruksel, se s’je drejtor i stacionit

Prishtinë | 20 Gus 2020 | 21:09 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të vendit, Avdullah Hoti, se në Bruksel nuk ka biseduar për autobusë, por për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë – dhe se këtë e di shefi i AAK’së.

“Nuk mund të ketë bisedime teknike. Nuk jemi duke biseduar në Bruksel për linja të autobusëve por për njohje reciproke. Të gjitha informacionet i ka edhe zoti Haradinaj”, ka deklaruar dje Hoti.

Sot, Haradinaj ka thënë se edhe di, edhe nuk e di se çfarë ka folur shefi i Qeverisë, pjesë e së cilës është edhe partia e tij.

“Shyqyr që s’ke folur për autobusë, se s’je drejtor i stacionit të autobusëve”, është shprehur Haradinaj në Kanal10.

“E di çfarë ka folur kryeministri im në Bruksel, me z. Borrell e të tjerët. Por nuk e di çfarë ka folur me presidentin Vuçiq”, ka deklaruar i pari i AAK’së.

Ai ka shprehur përsëri pakënaqësinë e tij që ministrat e AAK’së nuk u përfshinë në takime.

Haradinaj ka shprehur habinë e tij se pse, siç është shprehur ai, dikujt i kanë penguar ministrat Selim Selimi e Meliza Haradinaj. 

Të ngjashme