Haradinaj: I pranojmë rezultatet, nuk do të kërkojmë rinumërim

Prishtinë | 08 Tet 2019 | 13:11 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe njëherësh kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, përmes një konference për medie, tha se AAK-PSD nuk kërkon rinumërim të votave dhe se e pranon rezultatin, raporton Ekonomia Online.

Ai shtoi se rinumërimi e dëmton një ditë të bukur zgjedhore siç ishte 6 tetori.

“AAK-PSD e pranon rezultatin zgjedhor, ne nuk kërkojmë rinumërim e as përmbysje të rezultatit, pasi është e padrejtë me e dëmtu një ditë kaq të mirë zgjedhore”.

“Qytetari nuk na ka dhënë të drejtën me formu Qeverinë, por ne vazhdojmë me i mbetur besnik temave dhe nëse qeveria e ardhshme do angazhohet në këto tema ne do t’i përkrahim”, tha Haradinaj, raporton EO.

Haradinaj ka njoftuar se sipas rezultateve preliminare AAK ka 11.54% të votave, duke thënë se AAK ka shënuar rritje duke shprehur besimin se AAK do të arrijë në 100 mijë vota.

Ai ka shprehur respektin për besimin e 100 mijë votuesve për Koalicionin AAK-PSD.

“Kemi 11.54%, sipas të dhënave të KQZ-zë. Nga trendi që shihet, pra ekziston një mundësi reale që ne afrohemi rreth 100 mijë vota. Ne i falënderojmë qytetarët për këtë besim. Është një rritje e ndjeshme krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Është rreth 35% rritje më shumë se në kohën kur ishim me LDD”, ka theksuar ai.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se nëse Qeveria e ardhshme do t’i mbrojë temat që i ka mbrojtur qeveria e tij, do ta përkrahë, por ka thënë se AAK do të jetë opozitë e fortë ndaj asaj Qeverie që i shkel parimet e qeverisë së kaluar dhe AAK-së.

Haradinaj po ashtu ka shprehur vullnetin e tij që rrugën politike me PSD-në ta vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim edhe me pozitën, por edhe me opozitën. Pozitën e kemi pengu me e nda Kosovën dhe i kemi pengu në plane që kanë qenë të gabuara por nëse mbajmë qëndrim për tema do të kenë përkrahjen tonë”.

“Jeni në dijeni për numrin e votave që ka marrë AAK dhe PSD në votat e numëruara i kemi 90 mijë e 839 vota”.

“Ekziston një mundësi reale që ne do afrohemi në 100 mijë vota, ka rritje të ndjeshme të Aleancës për 35 për qind”.

“Me PSD ka qenë një koalicion i sinqertë unë jam për bashkë-rrugëtuar me ta por nuk kemi një bisedë të re për planet në të ardhmen”.

Ndërsa për taksën Haradinaj tha se Qeveria e ardhshme duhet ta mbajë këtë vendim deri në njohje.

“Unë i kam lënë mundësinë në këto tema pra taksa dhe reciprociteti të mbesin deri në njohje”.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas Haradinajt, do të jetë e angazhuar në tema konkrete nacionale, të cilat janë interes i Shtetit. Ne do të angazhohemi në temat si më poshtë:

Politikë e Jashtme

• Forcimi dhe thellimi i marrëdhënieve me SHBA
• Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare – NATO dhe OKB
• Statusi i kandidatit për BE
• Përmbyllja e Procesit të liberalizimit të vizave

Dialogu me Serbinë

• Dialogu pa kushte me Serbinë
• Taksa dhe reciprocitet deri në njohje
• Njohje reciproke në kufijtë ekzistues
• Asociacioni i Komunave me shumicë serbe sipas Kushtetutës së Kosovës

Politikat ekonomike

• Politika ekonomike aktive më pak tatim e më shumë punësim, rritje ekonomike të qëndrueshme deri më 8 %
• Rritje dhe stabilitet buxhetor
• Ulja reale e informalitetit dhe luftimi i evazionit fiskal
• Kosova e Re, investimi i Contour Global
• Investimet në Energji të ripërtëritshme, energjia me erë dhe solare
• Shtimi i subvencioneve në bujqësi
• Pagat 10% rritje çdo vit
• Implementimi i plotë i Zonave Ekonomike: Ajo Amerikane në Gjakovë dhe Gjermane në Prizren si dhe të gjitha zonat e tjera në tërë Kosovën

Sundimi i Ligjit dhe Siguri

• Buxhet shtesë për Ushtri, Polici, AKI, Prokurori, Gjyqësor, Doganë, Zjarrfikës – forcimi i shtetit ligjor
• Ligji për pensionim të parakohshëm për policë dhe Ligji për sigurim shëndetësor dhe jetësor për policë

Infrastrukturë dhe zhvillim rajonal

• Ligji për Mitrovicën
• Rruga Deçan – Plavë
• Rruga Prizren – Tetovë
• Ujëmbledhësit në Kosovë – Ujëmbledhësi i Lepencit
• Përfundimi i korrigjimit në drejtim të Çakorrit dhe Kullës në Bazë të Ligjit për Marrëveshjen
• Autostrada e Dukagjinit

Arsim dhe Politika sociale

• Reformat në Arsim me implementimin e Arsimit dual
• Realizimi i politikës për Shtesat e fëmijëve
• Aktivizimi i fondit për sigurime shëndetësore
• Rregullimi i pensioneve me ligj.

https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/910582989311244

Të ngjashme