Haradinaj ka gati draf-librin me tema që Kosova duhet të dialogojë me Serbinë

Prishtinë | 15 Dhj 2018 | 11:53 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do ta prezantojë draft-librin e madh me kapituj, të cilin ai po e quan bazë e fortë institucionale për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, legalisht obligative, me Serbinë.

“Javët e fundit, kam angazhuar një ekip të madh kolegësh të cilët kanë punuar intensivisht që ky dokument të jetë një draft final që përfshinë të gjitha temat e rëndësishme për të cilat ne duhet të dialogojmë me Serbinë. Ky dokument, është dokument i gjallë e i cili në ditët në vijim do të prezantohet tek të gjitha pjesët e shoqërisë sonë në mënyrë që të plotësohet dhe të përfshijë të gjitha temat, që sigurojnë avancim të ofertës sonë”, thotë Haradinaj.

Ai njofton se këtë material tashmë ua ka dërguar të gjithë liderëve të partive politike në Kosovë, vendeve të Quintit dhe Zyrës së BE-së.

Haradinaj shpjegon se ky projekt voluminoz është bazament pune për ekipin negociator në fazën e ardhshme të dialogut dhe është mbështetje e fuqishme për këtë ekip.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që dialogu me Serbinë të vazhdojë dhe se tani është koha që ky dialog të finalizohet, duke respektuar kushtetutën, sovranitetin dhe integritetin e vendit. Dialogu është detyra e radhës për ta përfunduar konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe ngjashëm si për temat e mëdha të vendit edhe këtu na duhet një unitet i plotë”, thotë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme