Haradinaj: Kam nderin të kërkoj votën tuaj, Aleanca do jetë me qytetarin në të mirë e në të keq

Prishtinë | 16 Sht 2021 | 17:00 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shpërndarë një video në Facebook ku ka kërkuar votën për AAK-në nga qytetarët e Republikës së Kosovës.

Haradinaj ka thënë se Aleanca ka vendosur të shkurtojë fushatën zgjedhore tradicionale në vetëm pesë ditë dhe që atë të bëjë në respektim të plotë të normave të ruajtjes së shëndetit publik.

“Shëndeti është mbi të gjitha, meqenëse nuk do të kemi mundësi që të takohemi si herave të tjera që të bashkëbisedojmë, që po ashtu të paraqesim programin tonë zgjedhor të Aleancës dhe njëkohësisht të prezantojmë kandidatët tonë edhe kandidatet për kryetar komune dhe për asamble komunale atëherë ju drejtohem në këtë mënyrë. Ju sigurojë se programi i Aleancës për qeverisjen në komuna, që bazohet në qeverisje me qytetarin është programi i duhur për të kthyer jetën, zhvillimin ekonomik dhe normalitetin në komunat tona dhe në Kosovë”, ka thënë ai.

“Ju sigurojë se kandidatët për kryetarë nga Aleanca, kryetarët aktual të komunave dhe kandidatët tjerë, janë njerëz me dinjitet, janë njerëz të zot, janë profesionist të mirë që nga Ardian Gjini në Gjakovë, Daut Haradinaj në Prishtinë, Bali Muharremaj në Suharekë, Zenun Elezaj në Klinë, Smajl Latifi në Rahovec, Bashkim Ramosaj në Deçan, Besnik Tahiri në Podujevë, Bekë Berisha në Istog, Rrustem Berisha në Pejë, Agron Kuqi në Junik, Lulëzim Kabashi në Prizren, Faton Jakupi në Kamenicë, Arta Ahmeti Xhylani në Drenas, Nazim Gagica në Gjilan, Agron Gashi në Dragash, Hasan Ismajli në Fushë Kosovë, Xhelal Krasniqi në Obiliq, Arben Halili në Ferizaj, Mensut Ademi në Vushtrri, Kastriot Berisha në Malishevë dhe Bashkim Budakova në Lipjan, të gjithë këta janë njerëz të dinjitetshëm, profesionistë dhe të aftë të udhëheqin me komunat tuaja”, ka thënë Haradinaj.

Tutje Haradinaj ka siguruar se Aleanca është me qytetarët edhe në kohë të vështira edhe në kohë të mira, duke shtuar se Aleanca garon me numrin 121 dhe është shprehur se ndjehet i nderuar të kërkojë votën e qytetarëve.

Në fund Haradinaj ka uruar mbarësi për zgjedhjet dhe sukses për kandidatët e AAK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme