Haradinaj kërkesë Hotit për rinisje të fluturimeve

Prishtinë | 23 Qer 2020 | 09:12 | Nga Ekonomia Online

Tash e disa ditë Aeroporti i Prishtinës po njofton se fluturimet ende janë të bllokuara deri në një vendim të qeverisë.

Rreth kësaj pas mesnate ka reaguar ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila ka treguar se ka marrë shumë mesazhe dhe ankesa për mos hapjen e aeroportit, njofton Klan Kosova

Haradinaj-Stublla nëpërmjet një postimi në Facebook ka treguar se i ka drejtuar shkresë zyrtare kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi, dhe ministrit Zemaj për të shikuar mundësinë e hapjes së aeroportit të Prishtinës, gjithmonë duke respektuar rekomandimet e OBSH-së.

Ky është postimi i plotë i saj:

Me qindra mesazhe dhe telefonata nga diaspora jonë kanë ardhur këto ditë në adresën time dhe të MPJD-së, me kërkesën për hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

I mirëkuptoj të gjitha këto shqetësime, veçmas për shkak të anulimeve të vazhdueshme të avio-biletave, koston e madhe financiare dhe pasigurinë nga gjendja e krijuar.

Po për këtë temë, në mëngjesin e sotëm i kam dërguar shkresë zyrtare Kryeministrit Hoti, Ministrave Zemaj dhe Abrashi, që të shohin të gjitha mundësitë që sa më parë të hapin Aeroportin e Prishtinës dhe t’i lejojnë fluturimet, gjithmonë duke respektuar dhe ndjekur udhëzimet e IKSHP-së dhe OBSH-së.

Do të kërkojmë zgjidhje të përshtatshme dhe të sigurtë për bashkëqytetarët tanë dhe për rikthimin në punë të Aeroportit të Prishtinës sa më parë të jetë e mundur.

Të ngjashme