Haradinaj kërkon debat parlamentar për gazin amerikan

Prishtinë | 08 Tet 2021 | 15:10 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj thotë se ‘’Është për keqardhje se si po provohet të devijohet çështja e gazsjellësit amerikan, duke u thënë të pavërteta për të. Pohimet se Fondi prej 200 milionë dollarësh i MCC nuk ka qenë i specifikuar për gazin dhe diversifikimin e energjisë, është krejtësisht i pavërtetë.’’

Ai shton se: ‘’Ka pothuajse tri vjet ç’prej se ka filluar ky projekt dhe janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e realizimit të tij. Janë bërë dy studime fizibiliteti që janë financuar me miliona dollarë të taksapaguesve amerikanë.

Pikërisht tani kur jemi në fazën e finalizimit të këtij projekti dhe në prag të skadimit të afatit për aprovim të vendosur nga MCC dhe SHBA, Qeveria e Kosovës ka vendosur pezullimin e tij, madje duke e cilësuar gazsjellësin amerikan si gaz rus.’’

Haradinaj kërkon debat parlamentar për të diskutuar për gazin amerikan.

‘’Prandaj unë sot, i mbështetur nga Grupi Parlamentar i AAK-së, i kam dorëzuar Kuvendit një kërkesë për debat parlamentar, për të diskutuar hapur e me argumenta për këtë çështje tejet të rëndësishme për Kosovën dhe partneritetin me SHBA.

Çështja e gazit amerikan nuk mund as të mjegullohet e as të spostohet me të pavërteta,’’ përfundon Haradinaj.




Të ngjashme