Haradinaj kërkon hetim ndërkombëtar për Rastin Kumanova

Prishtinë | 03 Nën 2017 | 14:22 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas dënimeve drakonike të shqiptuara ndaj shqiptarëve në “Rastin Kumanova” nga Gjykata Themelore në Shkup.

Ai ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar në lidhje me këtë rast, duke vënë dyshime në vendosjen e drejtësisë nga drejtësia maqedonase, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thirrur në konsulta të brendshme ambasadorin e Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, ndërkohë që për të njëjtën çështje e ka thirrur për sqarim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë, në Kosovë.

“Kemi ndërmarrë disa veprime dje. Dhe sot kemi ftuar për konsulta ambasadorin tonë në Shkup, përmes Ministrit të Punëve të Jashtme. Ata janë shtetas të Kosovës”, tha Haradinaj, i pyetur nga gazetarët, gjatë një vizite në Ministrinë e Financave.

“Interesimi është me u gjet e vërteta. Neve na kanë propozu bashkësia ndërkombëtare Gjykatën Speciale që të hiqet dilema rreth të vërtetës”, u shpreh Haradinaj.

Në një komunikatë të lëshuar gjatë ditës nga Qeveria e Kosovës, thuhet se Qeveria ka përcjellë me kujdes dhe vëmendje të shtuar procesin pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, në maj të vitit 2015 dhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Shkup. “Drejtësia duhet të vihet në vend, duke nisur që nga zbardhja e plotë e ngjarjes me të gjitha dimensionet e saj. Një hetim ndërkombëtar do të ndihmonte zbardhjen e plotë të së vërtetës, për të cilën mundohemi të gjithë”, thuhet në deklaratën e Haradinajt.

Gjykata Themelore e Shkupit ka dënuar me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015.

Për veprën terrorizëm ishin akuzuar gjithsej 37 persona. Prej tyre, gjykata ka dënuar 7 persona me burg të përjetshëm. Nga ky grup, 19 persona janë nga Kosova.

Të ngjashme