Haradinaj kërkon të hiqet ndalesa për qarkullimin e qytetarëve

Prishtinë | 19 Dhj 2020 | 13:13 | Nga Ekonomia Online

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga institucionet e vendit që të hiqet ndalesa e qarkullit deri pas festave, për arsye që të mundësohet qarkullimi i lirë i bashkatdhetarëve që jetojnë jasht vendit e që vijnë në Kosovë për këto festa.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj thotë se bashkatdhetarët po hasin vështirësi që të arrijnë në shtëpitë e tyre.

“Festat e fundvitit e gjallërojnë jetën në Kosovë, familjet tona dhe po ashtu ekonominë e vendit. Zakonshëm po ndodh edhe këtë vit, pavarësisht rrethanave pandemike, sikurse edhe në rrethanat e vështira historike për shqiptarët, mijëra bashkatdhetarë ia kanë mësyrë Kosovës.

Apeloj tek institucionet e vendit, që të hiqet ndalesa e qarkullimit, të paktën deri pas festave. Kjo do mundësonte qarkullimin e lirë të motrave e vëllezërve tonë që jetojnë jashtë vendit, e që po hasin në vështirësi të arrijnë në shtëpitë e tyre.

Mirë se vini bashkatdhetarë! Atdheu ju mirëpret!”, ka shkruar Haradinaj.

Kujtojmë se kolona të gjatë janë krijuar në kufijtë me Serbinë, pasi shumë bashkatdhetarë ia kanë mësyer Kosovës për festat e fundvitit.

Të ngjashme