Haradinaj kërkon votën e Podgurit për “me mujt me zhvillu Pejën”

Pejë | 15 Tet 2017 | 19:02 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, së bashku me kandidatin për kryetar të Pejës, Fatmir Gashi, kanë vazhduar takimet elektorale të dielën, me një tubim në Novosellë të Pejës.

Haradinaj e Gashi kërkuan votën e Podgurit për një Pejë të zhvilluar.

“Sot një javë, Peja do ta thotë fjalën e vet në kutitë e votimit. Për 4 vitet e ardhshme unë dhe AAK do t’ia kthejmë qeverisjen qytetarit. Ne kemi lidhur BESË. Lidhja është e lodhur”, tha kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Fatmir Gashi.

Edhe kreu i Aleancës, njëherësh kryeministër i vendit, Haradinaj, tha se vota për Gashin dhe kandidatët e tyre për Kuvend Komunal është votë për zhvillim.

“Për me mujt me i kry punët për Pejën më vyen Fatmir Gashi për kryetar të Pejës”, u shpreh Haradinaj.

Në vazhdim, ai shpalosi disa nga projektet infrastrukturore që veç kanë filluar të bëhen në Dukagjin dhe të tjera që do të bëhen në vazhdim të qeverisjes Haradinaj.

Ai tha se punimet në zgjerimin e rrugës Prishtinë-Pejë, pjesa në Kijevë, do të kryhen sivjet “pa rënë bora e parë”. Kurse, auto-rruga prej Klinës deri në Gjakovë, si dhe ajo Pejë-Istog, do të përfundojnë në vitin 2019.

“Më pas do të vazhdojmë me rregullimin e infrastrukturës së lumenjve. Lumi është ujë, e uji është jetë”, u shpreh ai.

Edhe në këtë tubim, sikur dhe në disa të tjera që AAK pati gjatë ditës me pejanët, Haradinaj premtoi rritje të buxhetit të Komunës së Pejës për çdo vit.

Ai premtoi gjithashtu mbështetje për bujqësinë. Duke iu përgjigjur disa kritikave pse një ministri e rëndësishme si ajo e Bujqësisë i është dhënë Listës Serbe, Haradinaj rikujtoi se ai është shefi i ministrit të Bujqësisë.

“Shteti do ta rrisë buxhetin, duke prodhuar e duke punuar”.

E kandidati për kreun e Pejës, Fatmir Gashi, ka kërkuar besimin të dielën e ardhshme, që të mund ta zhvillojë Pejën.

Ai premtoi përkrahje për bizneset e bujqit, përfshirë grante për stalla e pemishte. “Atyre që merren me pemëtari, do t’iu japim grande deri në 5 000euro”, tha Gashi.

“Pa ndihmën e shtetit, qytetarët e bizneset nuk zhvillohen”, u shpreh ai.

 

Të ngjashme