Haradinaj konfirmon se ministri i Drejtësisë i ka ofruar dorëheqjen

Prishtinë | 01 Tet 2018 | 22:14 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Ramush Haradinaj ka konfirmuar se Ministri Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka ofruar dorëheqjen nga posti i tij.

‘Sot kam pasur një bisedë me Ministrin Tahiri i cili ka ofruar dorëheqjen”, tha Haradinaj.

Shefi i ekzekutivit nuk ka bërë publike arsyet e thëna nga Tahiri.

“I ka përmendur të shumta arsyet por nuk po i bëj publike derisa të zyrtarizohet dorëheqja’, tha Haradinaj në Pressing në T7.

Haradinaj tha se kryetari i PDK’së Kadri Veseli i ka kërkuar atij që të mos pranojë dorëheqjen e Tahirit derisa Veseli të rikthehet nga Londra për bisedime të tjera.

Sipas të parit të Qeverisë PDK ka tendencë për riformatim të ministrive të cilat i udhëheqë.

Disa medie po spekulojnë se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, po i largon ministrat e afërt me presidentin Hashim Thaçi.

Indeksonline shkruan se edhe Bedri Hamza, shumë shpejt, pritet të japë dorëheqje nga detyra si ministër i Financave.

Pikërisht, ministrat Tahiri dhe Hamza janë shfaqur në “piknik” me presidentin Thaçi, gjatë fundjavës në liqenin e Ujmanit në veri.

Veprimi i Thaçit pikërisht në kohën kur po mbahej protesta e Vetëvendosjes në Prishtinë është kritikuar hapur nga Veseli. Kjo është hera e parë që ka mospajtim publikisht mes ish-kryetarit dhe kryetarit aktual të Partisë Demokratike.

Të ngjashme