Haradinaj: Korrupsionin do ta luftojmë për qytetarët jo vetëm për BE-në

Prishtinë | 22 Mar 2018 | 14:38 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se institucionet e sistemit të drejtësisë do të punojnë në luftimin e korrupsionit për qytetarët e jo vetëm pse është caktuar si kriter për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian.

Kreu i ekzekutivit këto komente i ka bërë gjatë pjesëmarrjes në konferencën “Java e gruas 2018”, organizuar nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI), raporton Ekonomia Online.

“Do të punojmë për luftimin e korrupsionit jo vetëm për të plotësuar një kriter për liberalizim të vizave por janë duke punuar për shkak se duhet të bëhet për qytetarët. Rendi dhe ligji është temë e ndjeshme në çdo popull në çdo vend, luftimi i korrupsionit sidomos është proces kompleks, nuk është aq i thjesht”.

Haradinaj tha se pret që edhe BE të marrë vendimin e duhur që të mundësoj qytetarëve lëvizjen pa viza në zonën Schengen.

“Çka mundet me bë Qeveria është mos me u involvuar në korrupsion dhe kjo ndikon menjëherë të kualiteti edhe i politikëbërjes, por ndikon edhe te gjyqësori. Ne po punojmë për rend dhe ligj jo vetëm për liberalizimin e vizave, por besonin po e bëjmë për qytetarët. Nesër do ketë një takim të lartë me zyrtarët e drejtësisë të cilët do të raportojnë. Shpresoj shumë që në BE nuk do ta bëjnë një lëshim ata mos me i dhënë vëmendje kësaj teme pra liberalizimit të vizave”.

Haradinaj me këtë rast tha se Kosova në aspektin e barazisë gjinore, marrëdhënieve në qeverisjen politike ngec dhe nuk është në pozitë të lavdërimit me përfaqësimin e gruas.

“Për fat të keq, ende s’jemi ku duhet. Kosovën e pret shumë punë dhe është një vetëdije më e ngritur, por ngecim në zbatim”, tha kryeministri, duke shtuar se të paktë janë ata që sot nuk e kuptojnë rolin e gruas në shoqëri dhe në jetën qeverisëse.

Kryeministri Haradinaj pranoi faktin se edhe qeveria që ai e udhëheq ngec në këtë aspekt, në përfaqësimin e gruas në planin e nivelit të parë, të ministrave.

Sa i përket Parlamentit dhe mënyrës së qeverisjes, të transparencës dhe llogaridhënies, kryeministri u shpreh se ka ligje të avancuara, edhe Kushtetua po ashtu, por se zbatimi i tyre është në proces.

 “Qeveria e vendit mund të bëjë shumë më shumë për pozitën e gruas në Kosovë. Jemi dëshmitarë që në familjet tona, sidomos në vendet rurale dhe ato tradicionale, nuk e përfshijnë vajzën në pasurinë e tyre dhe kjo duhet të ndryshojë në Kosovë, dhe jo vetëm me ligj, por edhe në kulturën tonë dhe dinamikat tona”, tha kryeministri Haradinaj.

“Do të jem luftëtar i të drejtës së gruas, në shoqërinë tonë”, tha kryeministri Haradinaj ne këtë bashkëbisedim me dhjetëra përfaqësues të partive politike, përfaqësues nga shoqëria civile dhe institucione të ndryshme, në diskutimin “Qeverisja në partneritet me qytetarët dhe Kuvendin e Kosovës”, në kuadër të Javës së Gruas 2018.

Të ngjashme