Haradinaj: Kosova e gatshme për dialog dhe marrëveshje me njohje reciproke, por në kufijtë ekzistues

Prishtinë | 09 Jan 2020 | 14:57 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj gjatë takimit me Susanne Schütz, drejtoreshë për Evropën Jug-Lindore, Turqi dhe shtetet anëtare të Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë në Ministrinë e Jashtme Gjermane ka thënë se Kosova është e gatshme për vazhdim të dialogut, që shpie në marrëveshje finale me njohje reciproke dhe në kufijtë ekzistues.

Haradinaj ka thënë se Kosova dhe Gjermania suksesshëm kanë thelluar bashkëpunimin bilateral në fushën politike dhe ekonomike, si një e arritur e madhe strategjike për vendin dhe rajonin.

“Sot në takim me Susanne Schütz, Drejtoreshën për Evropën Jug-Lindore, Turqi dhe shtetet anëtare të Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë në Ministrinë e Jashtme Gjermane, theksova se Kosova është e fokusuar në avancimin e partneritetit me shtetin gjerman, siç kemi punuar shumë në jetësimin projekteve ekonomike si ITP në Prizren dhe Sowi Kosova dhe ngjashëm edhe në aspektin politik, duke e falënderuar këtë vend për qëndrimin konsistent në mbrojtjen e integritetit territorial të vendit”, ka shkruar Haradinaj

Haradinaj ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të vendit për vazhdimin e dialogut, të kornizuar që çon në marrëveshje finale me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe në partneritet të mirë me të gjitha vendet e rajonit.

“Përmenda suksesin e Kosovës në procesin e fundit zgjedhor në vend dhe pritjet që kemi për konstituimin sa më të shpejt të Qeverisë së re dhe marrjen e përgjegjësive për proceset e rëndësishme që e presin vendin. Kosova ka arritur të krijoj aleat të fuqishëm dhe përkrahja e Gjermanisë është tejet e nevojshme për të vazhduar integrimin e vendit në familjen e madhe evropiane dhe për mundësimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës, kushtet për të cilin fakt, vendi tashmë i ka plotësuar”, vijon Haradinaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme