Haradinaj: Kosova e përkushtuar për të fuqizuar partneritetin ekonomik me Greqinë

Prishtinë | 07 Nën 2018 | 14:28 | Nga Ekonomia Online

“Krahas qëndrimit politik, Greqia gjithmonë ka pasur një rol konstruktiv karshi Kosovës dhe ne jemi të interesuar që ky partneritet ekonomik të fuqizohet në të ardhmen në të mirë të dyja vendeve”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim një delegacion nga Ministria e Jashtme e Greqisë, të kryesuar nga sekretari i përgjithshëm për Marrëdhënie Ekonomike Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Ministrinë e Jashtme të Greqisë,  Ioannis Brachos.

Në këtë takim është biseduar për marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Greqisë dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri Haradinaj falënderoi sekretarin Brachos për përkrahjen e Greqisë në proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare si dhe në proceset integruese në Bashkimin Evropian, duke theksuar se kjo mbështetje duhet të vazhdojë edhe në fazat e tanishme të konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës.

Po ashtu, Kryeministri Haradinaj e informoi edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, për reformat që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në shumë fusha, duke filluar nga zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës, forcimi i shtetit ligjor, proceset integruese evropiane të Kosovës, si dhe reformat në shumë fusha të jetës.

“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe po punon intensivisht në përmirësimin e klimës së të bërit biznes, hartimin e legjislacionit i cili lehtëson kushtet për investitorët potencialë, duke krijuar zona të lira ekonomike në gjithë territorin e vendit dhe duke zbatuar ligje të përshtatshme për investime të huaja direkte”, tha Kryeministri Haradinaj, duke theksuar nevojën që Greqia të zbatojë lehtësira tarifore për bizneset kosovare.

Kryeministri Haradinaj përshëndeti idenë e organizimit të një forumi të përbashkët ekonomik në mes të dyja vendeve, me qëllim të avancimit të raporteve ekonomike.

Sekretari i përgjithshëm për Marrëdhënie Ekonomike Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Ministrinë e Jashtme të Greqisë,  Ioannis Brachos, falënderoi Kryeministrin Haradinaj për pritje, duke theksuar se Greqia vazhdon të jetë përkrahëse e të gjitha proceseve të Kosovës dhe duke shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes dyja vendeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme