Haradinaj: Kosova nuk ka bërë sa duhet për Prizrenin

Prishtinë | 01 Qer 2017 | 18:50 | Nga

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj ka vazhduar fushatën zgjedhore në qytetin e Prizrenit.

Këtu Haradinaj ka pasur fjalë të mëdha për Prizrenin duke thënë poashtu se Kosova nuk ka bërë sa duhet për këtë qytet, njofton Klan Kosova.

“Prizreni është veç për mënyrën si bëhet jeta këtu, për një tolerancë e respekt të ndërsjellë, për bashkëjetesë, jo veç për atdhe, dashuri e punë po përplot vlera që na krenon e na bën me u nderu. Gjithë ju kemi borxh për këtë fakt”.

“Është e ditur se Kosova nuk ka bërë sa duhet për Prizrenin, nëse Prizreni është veç, është historia jonë, është e tashmja me të cilën mburremi, atëhërë pse Kosova, Prishtina, institucionet se kanë trajtuar në këtë nivel?”.

I nominuari për kryeministër ka thënë se nëse ai merr besimin e qytetarëve për këtë post, do ta mbështesë Prizrenin në të gjitha fushat.

“Shumë herë u kam thënë miqve se nuk duam të punojmë ndaras, larg. Kam menduar që kur e ke një partner, një krah atëherë puna bëhet më e lehtë. Prizrenit po i bëhet partneri, ai që ia din krejt rrugën e lavdishme e të ndershme por poashtu edhe ata që e kuptojnë rëndësinë e Prizrenit për jetën tonë”.

“Çdo individ, sipërmarrës, ai që ka nisur punë ose do të nisë punë, do të ketë krahë. Unë jam i nominuar për kryeministër, në cilësinë e atij që nesër duhet të jetë me ju në secilin plan që keni”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme