Haradinaj: Kosova nuk përbënë rrezik të migrimit

Prishtinë | 04 Pri 2019 | 09:26 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përgënjeshtruar informacionet lidhur me migrimin e të rinjve të Kosovës.

Ndërsa ka paraqitur edhe disa statistika.

“Në disa media po jepen të dhëna të pasakta lidhur me migrimin e popullsisë së Kosovës, kryesisht të rinjve tanë. Statistikat e fundit reale të migrimit, tregojnë se Kosova nuk përbënë rrezik të migrimit, duke shënuar trendin më të vogël ndër vite me vetëm 3515 raste të kërkesave për migrim në vitin 2018, krahasuar me vitin 2015, kur kishin e migruar 67.545 persona. Ndërsa, në vitin 2018, janë rikthyer vullnetarisht 727 qytetarë të Kosovës. Kjo tregon qartë rënie të lartë të migrimit dhe se qytetarët e Kosovës respektojnë parimet bazë të lëvizjës së lirë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas tij, manipulimi me shifrat e aplikimeve për viza e dëmtojnë rëndë procesin e liberalizimit të vizave.

“Të dhënat e pasakta, me ose pa qëllim, dhe manipulimi me shifrat e aplikimeve për viza, të cilat në shumicën e rasteve janë viza turistike, zyrtare dhe të punës, dhe vizita e bashkime familjare, për të cilat qytetarët aplikojnë njëkohësisht në disa ambasada dhe të njëjtit edhe disa herë brenda vitit, e dëmtojnë rëndë procesin e liberalizimit të vizave”.

Të ngjashme