Haradinaj: Kosova t’i strehojë afganët dhe të jetë pranë ShBA-së

Prishtinë | 15 Gus 2021 | 10:31 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se Kosova duhet t’i strehojë afganët dhe t’i qëndrojë pranë SHBA-së.

Haradinaj shprehet se duhet qëndruar pranë Amerikës ashtu siç ata riatdhesuam shtetasit e Kosovës nga Siria.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Kosova të jetë vullnetare në strehimin e disidentëve afganë dhe të jetë pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu siç ishin ata pranë nesh, kur riatdhesuam shtetasit e Kosovës nga Siria!

Për këtë çështje ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, duke thënë se Kosova duhet t’i përgjigjet pozitivisht strehimit të afganëve nëse kërkohet nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Rama tha se shpreson që edhe Qeverisë së Kosovës i është kërkuar që të strehojë afganët që kanë punuar me forcat amerikane.

“Nuk e di nëse amerikanët i kanë kërkuar edhe Kosovës të strehojë afganët që u ekspozuan si miq dhe mbështetës të ushtrive aleate; uroj që në rast se po, Qeveria e Kosovës të përgjigjet pozitivisht, për nderin e saj e të Kosovës sigurisht”, tha Rama ndër të tjera.

Në një postim të gjatë në “Facebook”, kreu i qeverisë shqiptare zbulon se ka pranuar kërkesën për strehimin në Shqipëri të qindra personave, që sipas tij, janë nga të parët në listat e ekzekutimeve.

Në Afganistan, militantët talibanë po marrin me shpejtësi kontrollin nga forcat qeveritare, teksa forcat ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë nisur tërheqjen.

Shumë afganë që kanë punuar me forcat e huaja kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA.

Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikacioni.

Të ngjashme