Haradinaj kthehet nga Haga, iu përgjigjet atyre që po thonë se po e shkel Kushtetutën

Prishtinë | 26 Kor 2019 | 00:07 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj, ka postuar një fotografi nga Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”, ku ka mbërritur pak para mesnatës.

Ka thënë pafajësinë e tij nuk mund ta vë në pikëpyetje askush. E ka thënë se punën do ta vazhdojë prej nesër.

“Sapo u ktheva nga Haga, e nesër vazhdojmë me punë. Pas dorëheqjes sime kam kryer obligimin ligjor pranë Prokurorisë së Dhomave të Specializuara. Pafajësinë time nuk mund ta vë në pikëpyetje askush. I kthehem obligimeve të mia në Kosovë. Vendimi im për dorëheqje dhe veprimet e mia të fundit janë porosi se çfarëdo abuzimi ndaj Kosovës, që vjen, nuk do të na lëkundë nga e drejta jonë sovrane. Kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush. Kosovës nuk mund t’i imponohet Dodik Republika. Tregu për njohje po, e taksa deri në njohje. Dialog pa kushte, po menjëherë”, ka thënë Haradinaj, në postimin e tij të parë në rrjetin social Facebook, me të mbërritur në Prishtinë.

“Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes, është jokushtetuese. Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakuum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakuumit qeverisës. Me respekt për ta, palët që mendojnë ndryshe i ftoj t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta respektoj. Na priftë e mbara!”, ka thënë Haradinaj.

Të ngjashme