Haradinaj: Kurrë më nuk do t’iu ndalen paret veteranëve

Deçan | 18 Tet 2017 | 18:42 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur tubim të madh elektoral, në bastionin e kësaj partie – në Deçan.

Nga aty, kryeministri Ramush Haradinaj është zotuar se kurrë më nuk do të ndalen pagat e veteranëve të luftës së UÇK-së, ndërsa i është përgjigjur dhe akuzave të LDK-së se po e rrezikojnë shëndetësinë.

“Kurrë më nuk do t’iu ndalen paret veteranëve. Nuk është e vërtetë që po e rrezikojmë shëndetësinë që i kemi qitë paret për veteranët. Buxheti i ka vijat buxhetore dhe këto që janë për veteranët kanë me qenë të veteranëve”, ka thënë shefi i Qeverisë.

LDK dje nuk e ka votuar rishikimin e buxhetit në Komisionin parlamentar për Buxhet dhe Financa, me arsyetimin se nga fondi i sigurimeve shëndetësore janë hequr miliona euro “për të paguar militantët partiakë që kanë hyrë në lista të veteranëve pa të drejtë”.

Premtim tjetër i Haradinajt ishte se gjatë mandatit të tij, buxheti për Deçanin do të dyfishohet dhe nuk do të ketë asnjë të papunësuar.

“Ka me ardhë dita që në këtë mandat mos me pasë të papunë në Deçan dhe buxheti për këtë komunë do të rritet për dy herë brenda këtij mandati”, ka thënë Haradinaj, në vendlindjen e tij.

Lideri i AAK-së, njëherësh kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, edhe në këtë tubim nuk e la pa e përmendur çështjen e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi.

“Zoti na i ka falë bjeshkët ma të mira që dikush po i lakmon. Por, ato janë tonat deri në Kullë e Çakorr”, u shpreh ai.

Haradinaj ka premtuar përkrahje për projektet e kandidatit të AAK-së për ta drejtuar Komunën e Deçanit në mandatin katërvjeçar, Bashkim Ramosaj.

Vetë Ramosaj u zotua se, edhe me ndihmën e kryeministrit, gjatë mandatit të tij do t’i plotësojë të gjitha kërkesat infrastrukturore të qytetarëve, përfshirë rrugë moderne. “Deçanin e Dukagjinin do ta kthejmë në hartën e investimeve”, deklaroi Ramosaj.

Sipas tij, AAK-ja, që nga themelimi i saj, mblodhi rreth vetes të gjithë ata që kanë bërë diçka për vendin. “Kosova po e merr kuptimin si shtet dhe vetëm në këto pak javë të Qeverisjes Haradinaj, qytetarët kanë filluar ta kuptojnë rëndësinë e shtetit”.

Më tutje, Ramosaj premtoi përmirësim të kushteve në arsim, duke ndërtuar shkolla të reja e ndarë bursa për studentë, si dhe hapjen e vendeve të reja të punës. “Kujdes të veçantë do t’iu kushtojmë investimeve në bujqësi”.

Ai, po ashtu, u zotua se do të ketë përkushtim më të madh ndaj kategorive të dala nga lufta. “Deçanit i ka ardhur koha të ketë trajtim më të dinjitetshëm”, ka përfunduar kandidati kryesor për ta drejtuar Deçanin.

Të ngjashme