Haradinaj: Kurti s’ndalej duke kokoris, hajde puno tash

Prishtinë | 13 Jan 2020 | 21:04 | Nga Ekonomia Online

Përballë analistëve në televizionin publik, Haradinaj e fton Kurtin të dalë në punë dhe, siç thotë ai, të tregojë se si di të punojë.

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qenë i ashpër kohës së fundit me Albin Kurtin, njeriun që pritet ta ketë pasardhës, ani pse dikur kishin marrëdhënie shumë të mirë kur ishin bashkë në opozitë.

Përveç deklaratës së njohur ku Haradinaj e quan “mashtrues” Kurtin, ka qenë një intervistë e tij para disa ditësh në RTK, ku nuk kursehet fare Kurti, shkruan Reporteri.net.

Përballë analistëve në televizionin publik, Haradinaj e fton Kurtin të dalë në punë dhe, siç thotë ai, të tregojë se si di të punoj.

Haradinaj ka thënë se dikur Kurtit dhe VV-së nuk i është ndalur goja, siç potencon ai, duke “kokorizë” dhe duke bërë “çaka-çaka”.

“Nuk duhet me ba lojna e me zhgënjy një popull, kur e ke marrë besimin. Kape hyn në punë, puno. Unë po du me pa në punë ketë njeri (Albinin). Unë kom drejt me kërku me pa në punë këtë njeri, se qe sa kurrë s’ju ka nal goja: çaka-çaka-çaka! Hajde të shoh në punë një herë, të shoh qysh din me qenë në tema nacionale, qysh din me ndreqë shëndetësinë, qysh din me nalë korrupsion. Hajde të shoh në punë e mos të shoh tuj o kokorizë. Se tan kohën janë kokorizë kur jemi kanë në zorin ma të madh, përballë tan atyre të këqijave që i vijshin Kosovës, këta janë kanë profitera o vëlla. Këta veç çaka-çaka me fitu ndonjë votë. Vetëm interesin e vetë e kanë këqyr Vetëvendosja me shtu ndonjë votë”, thotë Haradinaj në studion e RTK-së.

Ndër të tjera, duke ia përsëritur kërkesën për të marrë përgjegjësinë që i takon, Haradinaj i ka thënë Kurtit “ia ke nxi jetën këtij populli qe sa vjet rrugëve”.

“Hajde të shoh një herë në punë, po du me të pa në punë, se ia ke nxi jetën këtij populli qe sa vjet rrugëve, bon ato e bën këtë. Hajde, unë po du me pa në punë. Hajde puno njihere, nisja punës se po du me të pa qysh punon”, ka thënë Haradinaj.

“S’mundesh në pakufi me ba hajgare me këtë popull”, theksoi ai, në RTK.

Sidoqoftë, Albin Kurti po thekson se është i gatshëm ta marrë Qeverinë, mirëpo në vazhdimësi ka potencuar se nevoja për krijim të shpejtë të institucioneve nuk duhet të bëjë që ata të bëjnë një marrëveshje të keqe me LDK-në.

Të ngjashme