Haradinaj: Ky është buxheti më i madh në historinë e Kosovës

Prishtinë | 03 Shk 2019 | 02:23 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përshëndetur miratimin në lexim të dytë të Projektligjit për Buxhetin 2019 të Republikës së Kosovës.

Me 2 miliardë e 370 milionë euro, ky është buxheti më i madh dhe më zhvillimor i deritanishëm i Kosovës, që do t’i paraprijë rritjes ekonomike prej 4.7 për qind, ka shkruar Haradinaj në faqen e tij në Facebook.

“Arsimi me rreth 300 milionë euro dhe shëndetësia me 234 milionë, janë sektorët që përfitojnë më së shumti. Institucionet e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes marrin mbështetje të shtuar financiare prej 6% krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar. Më shumë siguri dhe më shumë mbrojtje, edhe për qytetarët por edhe për investimet”, ka theksuar kryeministri.

“Investimet kapitale rriten për 11%, apo 75 milionë në raport me vitin 2018, duke mundësuar realizimin e shumë projekteve ekzistuese dhe të reja, si nxitje e madhe për zhvillim ekonomik dhe për sektorin privat”.

Sipas kreut të Qeverisë, në këtë buxhet janë akomoduar mjetet për rritjen e pensioneve bazike 20%, për ato kontributdhënëse 15%, si dhe pensionet mujore prej 230 euro për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Urime Kosovë viti i kthesës ekonomike!”, përfundon kryeministri Haradinaj.

Të ngjashme