Haradinaj letër ministrave: Kërkon veprime të shpejta rreth zbatimit të Ligjit për Trepçën

Prishtinë | 02 Tet 2017 | 17:57 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u ka shkruar letra tre ministrave të Qeverisë që ai drejton, nga të cilët ka kërkuar që të përfshihen me veprime të shpejta dhe konkrete rreth zbatimit të Ligjit për Trepçën si dhe adresimin e kërkesave tjera të minatorëve të Trepçës.

Haradinaj në letrën drejt ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i ka kërkuar të shqyrtojë kërkesat e natyrës ligjore të parashtruara nga Ahmet Tmava, menaxher i ndërmarrjes Trepça, transmeton EkonomiaOnline.

“Të miratohet Statuti i Trepça SH.A. duke u bazuar në nenin 6 të Ligjit nr.05/L-120 për Trepçën; Të bëhet regjistrimi Trepça SH.A në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (MTI) duke u bazuar në nenin 7 të Ligjit nr.05/L-120 për Trepçën; Gjithashtu MZHE bazuar në nenin 7 të Ligjit të lartcekur të bëjë regjistrimin e njësive banesore Trepça SH.A. të cekura në nenin 2, paragrafet 2.1, 2.2 dhe 2.3 të këtij Ligji; Bazuar në nenin 3 paragrafi 3.1, 3.2 dhe 3.3 të Ligjit dhe arsyeshmërinë ekonomike dhe financiare, të formohen edhe njësitë e parapara në këtë dispozitë”, thuhet në letrën e Haradinajt për Llukën, përcjell njoftimi i kryeministrisë.

Haradinaj i ka kërkuar ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçicës, që të “sigurohet baza juridike për dhënien e pensioneve me 70% nga paga e punëtorëve, ashtu siç janë pensionet në disa institucione në Republikën e Kosovës; – Të sigurohet baza juridike për pranimin e stazhit të punës për vitet 1990-1999; – Punësimi i të rinjve, dhe Zbatimi i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës”.

Në drejtim të ministrit të Financave, Bedri Hamza, Haradinaj i ka kërkuar që “Duke u bazuar në Ligjin mbi faljen e Borxheve Publike nr.05/0119, Ndërmarrja Trepça si Shoqëri Aksionare i është drejtuar Komisionit Qeveritar për përfshirje në falje të borxheve të saj të krijuara në kohën e UNMIK-ut”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme