Haradinaj: Pa Polici efikase, nuk ka shtet të qëndrueshëm

Prishtinë | 06 Sht 2016 | 12:04 | Nga

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkruar një letër të hapur të hapur drejtuar Policisë së Kosovës me rastin e 17-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.

Haradinaj në letrën e tij u ka shkruar edhe për planet që ai ka në rast se do të ishte në krye të Qeverisë së Kosovës.

“Vizioni im është zhvillimi dhe bërja e Policisë së Kosovës, institucionin lider në rajon, sidomos në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive tjera negative. Për të arritur këtë, duhet të ndërmarrim, së bashku, veprime të guximshme reformuese”, ka shkruar Haradinaj.

“Pa Polici efikase, nuk ka shtet të qëndrueshëm. Prandaj, duhet ta rrisim mbështetjen institucionale”, ka theksuar kreu i Aleancës.

Letra e plotë e Haradinajt:

Unë ndihem mirë me ju. E njoh dëshirën tuaj për t’i shërbyer atdheut. Për t’i ofruar siguri dhe rend shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

I njoh sfidat dhe vështirësitë tuaja, po ashtu. Rrugën kah keni kaluar deri më sot. Problemet që nuk janë të pakta. Edhe mungesat dhe dëshpërimet që mund t’i keni gjatë punës suaj.

Po ju drejtohem për të dhënë mbështetjen time dhe të Partisë që e drejtoj, në zhvillimin dhe profesionalizimin e Policisë, por edhe për të kërkuar më shumë prej jush.

Janë bërë 17 vjet nga themelimi i Policisë. Me suksese dhe me të meta. Me ngritje e rënie, por me mbështetje të vazhdueshme publike. Në këtë ditë tuajën, të kujtojmë me respekt policet dhe policët e rënë në detyrë, të invaliduar apo të lënduar gjatë detyrës, për familjet e të cilëve do të ndërtojmë program institucional mbështetës.

Sot, në Ditën e Policisë, e kemi të qartë se Policia e Kosovës duhet të zhvillohet më shumë, të jetë më efikase, në përputhje me standardet themelore demokratike.

Vizioni im është zhvillimi dhe bërja e Policisë së Kosovës, institucionin lider në rajon, sidomos në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive tjera negative. Për të arritur këtë, duhet të ndërmarrim, së bashku, veprime të guximshme reformuese.

Kosova ka një Polici të mirë, por asnjëherë nuk duhet të kënaqemi me kaq. Zhvillimi i mëtejshëm kërkon ndryshime përmbajtesore, strukturore, profesionalizim, edukim, aftësim dhe konkurrencë rajonale. Jo bazuar në ndryshime emrash, por në zhvillim të koncepteve, filozofisë dhe efikasitetit.

Policimi në Bashkësi dhe Policimi i Udhëhequr nga Inteligjenca, duhet të zhvillohen e zbatohen plotësisht në të gjitha nivelet. Aftësimi i Policisë për hetimet komplekse, sidomos në korrupsionin e niveleve të larta është domosdoshmëri.

Kjo është detyra kryesore: Të mposhtet korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Duhet një qasje e posaçme për këtë, që kërkon zbatimin e koncepteve bazike të policimit demokratik. Hetimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, siç e dini, nuk është një punë e thjeshtë burokratike. Ajo kërkon qasje pro-aktive edhe të punës policore, të bazuar fuqishëm në bashkëpunimin me publikun, qytetarët dhe me institucionet tjera.

Pa Polici efikase, nuk ka shtet të qëndrueshëm. Prandaj, duhet ta rrisim mbështetjen institucionale.

Nuk duhet të përsëritet më ulja e buxhetit për Policinë, sikurse ka ndodhur në vitin 2016, ku Policisë i është zvogëluar buxheti për më shumë se 1 milion euro.

Në vizionin tim, Policia e Kosovës duhet që brenda dy vjetësh të arrijë në 105 milionë euro buxhet vjetor, që nënkupton rritje mbi 20 për qind të buxhetit aktual. Ndërsa, brenda një mandati qeverisës, Policia duhet të arrijë buxhetin prej 120 milionësh për vit, që nënkupton rritje prej gati 50 për qind nga buxheti aktual policor.

E tërë kjo për të mbështetur fuqishëm Policinë në aspektet profesionale, autonominë operative, strukturën organizative, zbatimin e politikave të sigurisë, aspektin administrativ, të ngritjes së kapaciteteve njerëzore dhe të pajisjeve moderne.

Reformat e nevojshme për të rritur efikasitetin në luftimin e të keqes së sotme do të bëhen në kuadër të planit që kam publikuar edhe më herët për themelimin e Byrosë Nacionale të Hetimeve.

E tërë kjo, të bëhet krahas reformave përmbajtjësore që do të ndërlidhen me domosdoshmërinë e largimit dhe përjashtimit absolut të politikës ditore nga Policia, zhvillimin e aftësive operacionale, kontrollin e brendshëm, matjen strikte të performancës, funksionalizimin e plotë të zinxhirit komandues dhe zhvillimin e domosdoshëm të komunikimit të brendshëm ndërmjet Departamenteve.

Një mekanizëm i tillë do të fokusohej edhe në luftën kundër Terrorizmit, duke njohur, po ashtu, efikasitetin e deritashëm të Anti-Terrorizmit që ka Policia e Kosovës.

Siguria publike, siguria në trafik dhe rritja e performancës së Policisë në përgjithësi paraqesin vizion që kërkon veprime të qarta dhe të vendosura. Për rritjen e efikasitetit, duhet të fillojmë edhe me Policinë Komunale, fillimisht në Prishtinë, që do të lironte në masë të madhe Policinë e Kosovës nga mbingarkesa në çështjet që janë nën juridiksionin e Komunës.

Pako Sociale për zyrtarët policorë, po ashtu, është synim yni i menjëhershëm. Ndërsa, promovimi i zyrtarëve policorë dhe degradimi i tyre do të ketë për bazë performancën në angazhimet e tyre të përditshme, të përcaktuara sipas objektivave të qeverisjes së re dhe demokratike.

Së bashku, në këtë 17 vjetor të Policisë, duhet të angazhohemi për antërësimin në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare të organizatave policore. Për bashkëpunimin më të mirë rajonal dhe me shtetet veç e veç.

Jam i bindur se me vendosmëri të vizionit dhe me efikasitet të detyrës, Policia e Kosovës do të zhvillohet drejt nivelit prijës në rajon.

Urime 6 shtatori, Dita e themelimit të Policisë!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme