Haradinaj: Ligji për Kryeqytetin kalon së shpejti në Kuvend

Prishtinë | 30 Sht 2017 | 15:53 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh Kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka premtuar sot prishtinasve se ligji për kryeqytet do të kalojë shumë shpejtë në Kuvend.

Ai gjatë një tubimi në Prishtinë, ku shpalosi edhe programin e kësaj partie për kryeqytetin, ka kritikuar qeveritë e deritashme për zvarritjen e procedimit të këtij ligji.

Së bashku me kandidatin për kryetar të Prishtinës nga radhët e AAK-së, Arbër Vllahiun, Haradinaj ka vlerësuar se miratimi i këtij ligji, do ta dallojë kryeqytetin nga qytetet e tjera në vend.

Me këtë ligj, sipas të parit të AAK-së, Prishtina do të ketë kompetenca më të mëdha në shumë fusha.

“Në ditët e para të qeverisjes sime është dorëzuar në Kuvend ligji për Prishtinën. Ka disa vite që ka pritë në sirtarë, ndërsa për pak ditë, kjo punë u krye. Ligji për Prishtinën shumë shpejtë do të miratohet, sepse një ligj i tillë i duhet kryeqytetit,” ka thënë Haradinaj.

Ai ka kritikuar qeverisjen e deritashme të udhëhequr nga kryetari Shpend Ahmeti, duke shtuar se pushteti në kryeqytet nuk mbahet me sigurimin e kifleve.

“Kiflet edhe shujta janë diçka primare, më larg se kiflet duhet të kujdesemi për sigurinë, ekonominë etj. Me kifle nuk merren votat”, ka thënë Haradinaj.

Kandidati i kësaj partie për të parin e kryeqytetit, Arbër Vllahiu, ka shpalosur programin e tij, ku tha se Prishtina ka nevojë për një qeverisje transparente dhe llogaridhënie.

“Kemi hyrë në garë për të treguar që qytetit kurrë nuk i ka dal kush zot. Kryeministër qytetit i duhen orët tuaj për të bërë ndryshimin. Ndryshimi ka ardhur me ju me ne. Qyteti ka nevoje për një qeverisje transparente dhe llogaridhënie. Qeverisja lokale do të jetë partner i fuqishëm me qytetarin për të ndërtuar konceptin e qytetit të përparuar”, ka thënë Vllahiu.

Ai ka thënë se Prishtina do të bëhet me dy parkingje dhe se në vend te “kunjave” do të mbillen pemë dhe do të gjelbërohet qyteti.

Të ngjashme