Haradinaj: Lista e dëmeve që i ka shkaktuar vendit kjo qeveri është e gjatë

Prishtinë | 30 Mar 2022 | 21:37 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke komentuar punën e Qeverisë Kurti, ka thënë se lista e dëmeve që i ka shkaktuar ajo vendit është e gjatë.

“Kur vlerësojmë Qeverisjen i marrim momentet kryesore. Nëse flasim për planin e sigurisë nuk ka zhvillime negative, por kjo vjen si shkak i mobilizimit të madh të aleatëve tanë”.

“Nëse flasim në planin ekonomik ka mungesë investimesh, janë tërhjek të gjitha projektet. Këtu i shtojmë edhe krizën energjetike, dështimin e Qeverisë për refuzimin e gazsjellësit amerikan. Mungesa e seriozitetit me ligjin e pagave, dhe duke vazhduar edhe me menaxhimin e dobët të dialogut”.

Haradinaj ka komentuar edhe reagimin e ashpër të vendeve të QUINT-it për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

“Lista e dëmeve të kësaj qeverisje është shumë e madhe dhe së fundi ajo që u përdorë nga gjuha ndaj Kosovës, nga QUINT-i është një tregues se sa poshtë e ka sjellë Kosovën në planin e marrëdhënieve me këto vende”, përfundoi Haradinaj.

Kujtojmë se QUINT-i është zhgenjyer me Qeverinë e Kosovës që nuk lejoi zgjedhjet e Serbisë, duke e cilësuar këtë vendim si dështim të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile e politike të të gjithë qytetarëve.

“E kuptojmë se është e drejtë e qeverisë së Kosovës të vendosë nëse duhet apo jo të japë leje për organizimin e zgjedhjeve të një shteti tjetër. Përderisa e vlerësojmë gatishmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim shënim vendimin e qeverisë së Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të prezantuar nga QUINT-i. Me këtë vendim qeveria e Kosovës ka dështuar të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile e politike të të gjithë qytetarëve, përfshirë atyre të grupeve minoritare. Një sjellje e këtillë nga qeveria e Kosovës s’është në linjë me vlerat dhe parimet tona dhe i minon aspiratat e tyre evropiane”, thuhej në reagimin e QUINT-it.

Të ngjashme