Haradinaj: Me luftimin e ekonomisë joformale ndihmohet zhvillimi ekonomik dhe rritja e buxhetit

Prishtinë | 19 Pri 2019 | 12:21 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar sot një takim me ministrin e Financave, Bedri Hamza, ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ministrin  e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, Drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj, drejtorë të Agjencive të ndryshme, përfaqësues të USAID-it si dhe organizata të tjera që kontribuojnë me projekte në fushën e ekonomisë, me të cilët ka biseduar për ekonominë joformale në Kosovë dhe mënyrën e luftimit të kësaj dukurie e cila ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit dhe dëmton konkurrueshmërinë dhe tregun e lirë në vend.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast ka kërkuar nga zyrtarët dhe institucionet përgjegjëse për ndërmarrjen e hapave në zbatimin e ligjit nga institucionet e rendit dhe të ligjit dhe avancimin në këtë fushë, duke potencuar se një nga burimet e krimit dhe të korrupsionit është edhe ekonomia joformale.

“Me luftimin e ekonomisë joformale do të ndihmohet zhvillimi ekonomik, rritja e buxhetit dhe shumë parametra në ekonominë e vendit”, tha kryeministri Haradinaj duke theksuar se lufta kundër Ekonomisë Joformale mund të arrihet vetëm me koordinimin e të gjithë institucioneve përgjegjëse.

Ndërkaq, ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se Qeveria e Kosovës ka kontribuar dukshëm në rritjen ekonomike të vendit duke thënë se tani po punohet që sektori privat të ketë kushte më të mira të të bërit biznes.

Në këtë takim, së bashku me akterët përgjegjës në luftën kundër ekonomisë joformale të pranishmit u dakorduan se Kosovës i duhet një mobilizim i shtuar në këtë sferë ngase evazioni fiskal gërryen shtetin dhe demotivon bizneset e rregullta duke goditur kështu edhe funksionimin e ligjit.

Në kuadër të kësaj përpjekjeje për luftimin e ekonomisë joformale, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një varg aktivitetesh të cilat adresojnë këtë dukuri dhe këto përfshijnë: Rishikimin e Strategjisë për luftimin e ekonomisë joformale, Hartimi i koncept dokumentit për largimin e barrës administrative, duke përfshirë uljen e numrit të lejeve dhe licenca për bizneset, Hartimi dhe miratimi i ligjit për inspektime që synon uljen e numrit të trupave inspektuese, duke mundësuar kështu efikasitet më të lartë të inspektimeve.

Krahas këtyre masave, kryeministri Haradinaj ka filluar një nismë për të identifikuar intervenimet specifike për luftimin e ekonomisë jo formale me qëllim të zvogëlimit të konsiderueshëm të ekonomisë joformale deri në fund të vitit 2019.

Takimi i sotëm, u bë në kuadër të vitit të Ekonomisë i shpallur nga Kryeministri Haradinaj, me qëllimin e vetëm, zhvillimin ekonomik të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme