Haradinaj merr urime nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Tillerson

Prishtinë | 02 Tet 2017 | 17:50 | Nga

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë telegram urimi nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex W. Tillerson për marrjen e përgjegjësive të reja.

“Pranoni urimet e mia për ju dhe popullin e Kosovës për zgjedhjet e mbajtura dhe formimin e qeverisë. Zgjedhjet e qershorit të këtij viti ishin shenjë e qartë se vendi juaj ka arritur pjekurinë demokratike.

Lidershipi juaj është vendimtar në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për Kosovën dhe bashkëpunimin e ngushtë me fqinjtë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe me partnerët tjerë ndërkombëtarë.

Ju inkurajoj fuqishëm që të udhëhiqni me intensitet të shtuar e në mënyrë gjithëpërfshirëse, në zbatimin e reformave të nevojshme e urgjente.

Reformat e tilla përfshijnë fuqizimin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, çrrënjosjen e korrupsionit, dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe zgjidhja e çështjes së kufirit të Kosovës me Malin e Zi, janë thelbësore për progresin e Kosovës drejt integrimit euro-atlantik.

Do të punojmë ngushtë me qeverinë tuaj, në qëllimin tonë të përbashkët për Kosovën multietnike e demokratike, si pjesë e stabilitetit dhe prosperimit të Ballkanit”, thuhet në telegram.

Të ngjashme