Mosftesa në Samitin e Uashingtonit alarm për degradimin e raporteve me ShBA-në si rezultat i qeverisjes së Kurtit

Prishtinë | 05 Nën 2021 | 21:49 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se mosftesa e Kosovës në Samitin e Demokracisë në Washington duhet t’i shqetësojë të gjithë pa dallim dhe të shërbejë si sinjal alarmi për shkallën e degradimit të raporteve me ShBA-të, që sipas tij janë si rezultat i qeverisjes së Albin Kurtit.

“Aftësitë eksperimentale dhe manipuluese të kryeministrit Kurti në emër të Kosovës në raportet me ShBA-të, janë të papranueshme dhe nuk duhet të tolerohen nga askush. Ky degradim i raporteve strategjike me ShBA-të, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë dhe Kosova ta rikthejë tashmë besimin e venitur”.

Ai me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se nuk do të lejojnë që Kosova të bëhet “laborator i eksperimenteve neo-komuniste evropiane që kryeqendër e kanë Moskën”.

“Ftoj kryeministrin Kurti sa më parë të lirohet nga politikat dhe veprimet për llogari të interesave të ngushta dhe agjendave e projeksioneve që synojnë zbehjen e rolit amerikan në Kosovë e rajon. Kosova nuk ka kohë për të humbur, as nuk ka partner më të afërt sesa ShBA-të, andaj Kryeministri me urgjencë duhet t’i riparojë raportet dhe partneritetin e besueshëm e të shëndoshë me ShBA-të si aleati ynë strategjik”.

“Asnjëherë nuk do ta lejojmë shndërrimin e Kosovës në laborator të eksperimenteve neo-komuniste evropiane që kryeqendër e kanë Moskën dhe qëllim parësor e kanë zbehjen e prezencës dhe rolit të ShBA-ve në Kosovë, rajon e më gjerë”, ka shkruar Haradinaj.

Të ngjashme