Haradinaj në fshatin kufitar, qëndroni në trevat tuaja

Kamenicë | 24 Sht 2017 | 15:04 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lideri i Aleancës, Ramush Haradinaj, pasi ka ecur rreth 5 kilometra nëpër një shteg malor, bashkë me zyrtarë të partisë, bashkëshorten Anitën dhe tre fëmijët e tyre, është ndalur në fshatin Kremenadë të Kamenicës.

Ky është një fshat në zonën kufitare me Serbinë, i cili vazhdimisht braktiset nga banorët për mungesë të rrugës e kushteve të tjera për jetesë.

Haradinaj, i cili para pak ditësh mori drejtimin e Qeverisë së Kosovës, iu ka bërë thirrje banorëve të kësaj ane të qëndrojnë në trevat e tyre.

Disa qindra qytetarëve të mbledhur në rrafshnaltën e Kremenadës, ai ua ka kërkuar votën edhe për nivelin komunal, ndërsa iu ka premtuar se do të punojë për përmirësimin e kushteve të tyre.

“Jeta jonë nuk është vetëm në qendra e qytete, por dëshira ime është për të kthyer trevën edhe nëpër fshatra”, ka thënë Haradinaj.

“Në nivel nacional, besoj e keni përcjellë, ajo që po ndodhë në Kosovë është qeveri që vepron. Nuk i len temat me u bo truq në një vend. Nuk i zgjedh veq ato që janë të lehta e të mira, por përballet me të gjitha. Unë e kërkoj besimin tuaj, të kësaj treve, për këtë opsion qeverisës që është qeveri që vepron, pra edhe në këto zgjedhje komunale, por në të njejtën kohë, e premtoj edhe marr garanca që nuk i lëmë këto treva të harruara”, tha Haradinaj.

Ai  u tha banorëve se kjo qeveri nuk do të jetë një qeveri vetëm për qytetarët e Prishtinës apo qyteteve tjera të mëdha por është qeveri e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Sipas Haradinajt, ka pasur raste kur kushtet si asfaltimi i rrugëve, rrjeti elektrik, hapja e shkollave u janë plotësuar banorëve, por nuk ka pasur vullnet për kthim në këto fshatra kufitare. Por, ai ka thënë se nëse ka vullnet qeveria do t’i mbështesë këta banorë për tu rikthyer në vendbanimet e tyre.

Ndihma nga Qendra ka munguar, kjo do të ndryshojë me Haradinajn

E kandidati i AAK-së për kryetar të Kamenicës, Faton Jakupi, është zotuar para banorëve të kësaj ane se do të punojë për zgjidhjen e problemeve esenciale të qytetarëve. Sipas tij, Kamenica ka nevojë për shumë punë e ndryshime.

“Dora e qeverisjes qendrore në komunën e Kamenicës ka munguar tash e sa kohë”, tha Jakupi, duke shfaqur besimin se tani, pas marrjes së drejtimit të Qeverisë nga Haradinaj, do të ketë ndryshime pozitive.

Banori serb ia premton votën Haradinajt, me një kusht

Një banor i nacionalitetit serb i fshatit Kremenatë ia ka premtuar votën Haradinajt. Por, ai ka pasur dhe një kërkesë nga shefi i Qeverisë, të cilin e ka quajtur “trim”.

Ai tha se ndjehen të lirë në fshat, por vjedhjet e pronave janë të shpeshta.

“Ti qenke trim… Në Kamenicë nuk kisha ardhur, por erdha për ju”.

“Kemi problem me vjedhje vidhet gjithçka edhe neve edhe shqiptarëve…Nëse na siguron këtë që nuk ka vjedhje, keni votën time”, u shpreh ky banor.

Haradinaj ecje 5-kilometërshe nëpër malet e Kamenicës

Lideri i Aleancës, njëherësh kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, ka zgjedhur të dielën që me bashkëpartiakë e të rinj, të promovojë aktivitetet bjeshkatare në komunën e Kamenicës.

Haradinaj, së bashku me dhjetëra vullnetarë, dashamirë të ecjeve në shtigje malore, ka nisur ecjen nëpër shtegun e gjatë prej 5 kilometrash.

Starti i kësaj ecjeje ishte nga vendi i ashtuquajtur “Reka e Kremenatës” dhe do të përfundojë te fshati Kremenatë.

Ekipi i Ekonomia Online po e përcjell me kamerë këtë aktivitet. Derisa përgatitje fizike nuk i mungon kryeministrit Ramush Haradinaj, kjo nuk mund të thuhej për disa nga ata që e shoqëronin përfshirë gazetarët.

 

Image may contain: 2 people, people standing, beard, outdoor and nature

Image may contain: 6 people, people smiling, child and outdoor

Image may contain: 10 people, people smiling, people standing, crowd, tree, outdoor and nature

Image may contain: 8 people, people smiling, people standing, crowd, wedding, sky, tree, outdoor and nature

Image may contain: 12 people, people sitting and outdoor

Image may contain: 5 people, crowd and outdoor

 

 

Lexo më shumë:

Të ngjashme