Haradinaj në mbrëmjen e KAEF-it, jemi kampion i miqësisë e besnikërisë për Amerikën​

Prishtinë | 07 Dhj 2018 | 22:11 | Nga Ekonomia Online

Fondi Kosovar – Amerikan për Edukim (KAEF) ka organizuar një gala mbrëmje për nder të ndarjes së bursës së 100-të. Ky fondacion ka si mision pajisjen e liderëve të së ardhmes në Kosovë, me shkathtësitë dhe veçoritë të cilat i bëjnë ata udhëheqës të denjë për një të ardhme edhe më të mirë.

Kryeminstri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij në këtë mbrëmje, ka thënë se Kosova gjendet në shumë sfida, shumica prej të cilave kanë qenë të pashmangashme, porse, sipas tij, Qeveria po përballet me këto sfida.

“Unë jam i gëzuar që në vendin tonë jetojnë bashkë, shqiptarë, serbë e komunitete tjera, dëshirojmë që rajoni ynë të jetë i qetë dhe dëshirojmë që të mbesim kampion të miqësisë, besnikërisë e dashurisë që kemi për Amerikën”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj shtoi se është i kënaqur që sot është bashkë me ta për një projekt, më të rëndësishmin ndoshta në zhillimet e vendit, por jo vetëm të tashmes, por edhe të asaj që do të vijë në të ardhmen.

Duke i përshendetur të pranishmit, nikoqirët, dhe KAEF-in për kontributin e tij, theksoi se sot ndihet keq pse nuk marrin më shumë nga ta, për atë që i vynë Kosovës, por shtoi se, do të gjendet formula që të marrin më shumë nga ta.
“Njëkohësisht kam dëshirë që Qeveria dhe populli i Kosovës ta përkrahë këtë projekt. Ju siguroj se nuk ka investim më të qëndrueshëm, e më të mençur se sa ky investim. Ne do ta vazhdojmë këtë projekt bashkë, do t’i gjejmë mënyrat, që ta përkrahim, që të gjejmë shumë si ju dhe se gjithë këtë ekspretizë që SHBA-ja e ka, ta bartim edhe në Kosovë, të bartet përmes tyre”, tha kryeministri Haradinaj në fjalën e tij.

Ndërkaq, themeluesi i KAEF, Dale B.Pfiffer, duke kujtuar idenë se si erdhi deri tek investimi në Kosovë përmes KAEF, tha se ideja ishte që ta ndihmojë Kosovën të përgatitet për të ardhmen e vetë, si një shtet i pavarur, me nevoja për liderë të vetë dhe shkathtësi te reja, duke treguar se ndihet krenar për mënyrën se si deri tani ka funksionuar KAEF, një projekt shumë i shtrenjtë, por që është bërë i konkurrueshëm.

Një fjalë rasti në këtë mbrëmje e patën edhe ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ndërkaq të pranishëm në këtë Gala Mbrëmje ishin edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyçi, përfaqësues të tjerë e bursistë.

Në fund të ceremonisë janë shpërndarë mirënjohje për themeluesin e KAEF, Dale B. Pfleiffer dhe disa bizneseve vendore dhe ndërkombëtare për ndihmën dhënë kësaj organizate.

KAEF deri tash ka mbështetur mbi 95 studentë kosovarë për studimet master në universitete të ndryshme amerikane.

Të ngjashme