Haradinaj në Prizren: Votojeni Kabashin për të vazhduar ndryshimin që ka nisur

Prizren | 01 Tet 2017 | 15:09 | Nga

Në një tubim të mbajtur në Kalanë e Prizrenit, kryetari i Aleancës për Ardhërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka kërkuar prizrenasve që ta votojnë Kabashin për ta vazhduar ndryshimin që ai ka nisur si kryeministër në qeveri.

Haradinaju ka premtuar të pranishmëve dhe të gjithë qytetarëve të Prizrenit se kandidati i kësaj partie për kryetar komune, do ta ketë mbështetjen e Qeverisë në zbatimin e shumë projekteve të rëndësishme për qytetin.

“Kandidati Lulzim Kabashi është njeri që mund të kryej punë. Luli është një person që, gjatë përvojës që kam me të, ka dëshmuar se me pak hapësirë, ai jep rezultat. Paramendoni nëse ju ja jepni mundësinë për të qeverisë me Prizrenin,” u shpreh kreu i AAK-së.

Numri një i AAK-së dhe i Qeverisë së Kosovës, ka përmendur një sërë problemesh me të cilat Prizreni ballafaqohet ndër dekada e shekuj. Sipas tij, qyteti historik i Kosovës, do të mund të gjente zgjidhje për këto probleme, nëse në krye të qytetit vjen Lulzim Kabashin.

“Ai do t’i zgjidhë problemet e Prizrenit, disa që janë mbledhë me shekuj e disa me dekada,” vlerësoi Haradinaj.

Poashtu Haradinaj tha se që nga fillimi i udhëheqjes me qeverinë e vendit, kanë nisur të vërehen ndryshimet. Si rrjedhojë, ai u ka premtuar qytetarëve të Prizrenit një sërë projektesh, duke filluar nga ndërtimi i hapësirave sportive e deri te ato më kapitale, që është ndërtimi i hidrocentralit në lumin Drini i Bardhë.

“Qëllimi është rritja ekonomike në vend. Në këtë rast, Prizreni ka një peshë të rëndësishme. Me këtë, premtojmë se në shtatë qendrat e Kosovës, do të ndërtohen stadiume të ngjashme me atë që do të ndërtohet në Prishtinë. Ndërtimi i hidrocentralit mbi Drin nuk është punë e vështirë, besoj që me më shumë përkushtim, do t’ia arrijmë ta bëjmë,” ka thënë ai.

Kandidati Lulzim Kabashi, gjatë fjalimit të tij, ka premtuar se në një mandat katër vjeçar në qeverisje të Prizrenit, ai do të bëjë të mundshëm krijimin e 5 mijë vendeve të punës. Sipas tij, ky premtim do të arrihet përmes ndërtimit të parqeve të biznesit në këtë qytet. Kabashi ka premtuar investime edhe në bujqësi, ndërtim të çerdheve, përmirësimin e kualitetit të ndërtimit si dhe mbrojtjen e pjesës së vjetër të qytetit, si një aset i rëndësishëm për nxitjen e turizmit.

“Synimi im për katër vitet e ardhshme është krijimi i 5 mijë vendeve pune. Kjo do të bëhet përmes parqeve të bizneseve dhe investime nga jashtë. Do të ketë investim në bujqësi. Do të investohet në ndërtimin e çerdheve.”

“Deri më tani janë bërë ndërtime, por me kualitet të dobët, ne do ta përmirësojmë kualitetin. Pjesën e vjetër do ta ruajmë dhe ta vëmë në shërbim të turizmit,” tha Kabashi.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prizrenit, kërkoi nga kryeministri Haradinaj që të shtyjë përpara realizimin e projekteve si ndërtimi i rrugës që lidhë Prizrenin me Tetovën, ndërtimin e një stadiumi olimpik, ndërtimin e një hidrocentrali dhe për krijimin e mundësive për investime nga jashtë.

Gjatë këtij tubimi u prezantuan edhe 45 kandidatët e AAK-së për asambleistë në Kuvendin Komunal të Prizrenit në zgjedhjet e 22 tetorit.

Të ngjashme