Haradinaj në Samitin e Durrësit: Kosova e përkushtuar për integrimet ekonomike rajonale

Durrës | 27 Gus 2018 | 19:23 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në takimin joformal me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin rajonal ekonomik, në Durrës të Republikës së Shqipërisë.

Në kuadër të këtij takimi, ku marrin pjesë kryeministrat e vendeve të rajonit, Komisioneri Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, presidenti i BERZh-it, Suma Chakrabrarti, Drejtorja Rajonale për Bankën Botërore të Ballkanit Perëndimor, Linda Van Gelder, si dhe përfaqësues të tjerë, kryeministri Haradinaj, në fjalën e tij, ka theksuar angazhimin e Qeverisë së Kosovës për t’ju hapë derën investimeve të huaja. Në këtë drejtim, ai ka përmendur marrëveshjet e arritura për rritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike dhe në veçanti rritjen e kapaciteteve për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj përmendi edhe punën që po bëhet në përmirësimin lidhjeve dhe komunikacionit me vendet fqinje, projekte këto të mbështetura nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane Investive.

“Planifikimet e qëndrueshme parashohin që deri në vitin 2022 të gjitha qytetet e Kosovës do të ndërlidhen me autostrada”, tha kryeministri Haradinaj.

Në vazhdim të fjalës së tij, kryeministri Haradinaj ka theksuar rëndësinë e ndërtimit dhe funksionalizimit të pikëkalimeve kufitare me të gjitha vendet fqinje sipas marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

“Sa i përket digjitalizimit ne kemi lansuar agjendën e digjitalizimit, kemi përforcuar sigurinë kibernetike dhe kemi ngritur intervenimet rajonale në literaturën dhe aftësitë digjitale”, tha në vazhdim të fjalës së tij kryeministri Haradinaj.

Haradinaj ka informuar të pranishmit lidhur me ratifikimin e projektligjit të Traktatit të Komunitetit të Transportit, i cili është në procedurë të miratimit.

Në kuadër të angazhimeve që Kosova ka marrë në Agjendën e Reformës së Investimeve Rajonale, Kosova është duke bërë promovimin e saj në sektorin privat, gjithashtu është duke punuar në hartimin e Planit Kombëtar për zbatimin e Agjendës së Reformës së Investimeve Rajonale.

Gjithashtu, kryeministri Haradinaj ka theksuar angazhimin e Qeverisë së Kosovës për zvogëlimin e tarifës së roamingut në komunikimin e qytetarëve të vendeve të rajonit.

Edhe nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale, është vlerësuar me rëndësi për procesin e përgjithshëm të bashkëpunimit rajonal.

Haradinaj, gjatë konferencës së përbashkët për media, ka theksuar pozitën e veçantë të Kosovës në raport me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor sa i përket lirisë së lëvizjes, të njerëzve dhe mallrave, të cilat e vështirësojnë zhvillimin ekonomik në vend, njëkohësisht ka falënderuar komisionerin Hahn për hapjen e kësaj teme të rëndësishme për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës shprehu përkushtimin e Qeverisë që ai drejton për të çuar përpara të gjitha proceset që ndërlidhen me integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Të ngjashme