Haradinaj në Tiranë: Kosova pjesë e koalicionit kundër ekstremizmit

Tiranë | 04 Qer 2018 | 18:07 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ishte panelist në konferencën me temën “Të bashkuar në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm – Partneriteti për sukses”, organizuar në Tiranë, në të cilin u diskutua për shumë dimensione të luftës për parandalimin e kësaj dukurie të përmasave globale.

Në përbërje të panelit ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov, si dhe princi i Jordanisë, Ghazi bin Muhammad.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se Kosova është pjesë e kombeve euroatlantike, pjesë e koalicionit që e lufton ekstremizmin.

Duke folur para ekspertëve të antiterrorizmit, përfaqësuesve të shumtë politikë e fetarë, kryeministri Haradinaj tha se ideja e ekstremistëve është të përdorin rrjetet të ndryshme, rrjete të bamirësisë apo edhe rrjete tjera fetare dhe fatkeqësisht kanë rekrutuar njerëz brenda rrjeteve në secilin vend.

“Kosova është e ndërgjegjshme sa i përket rrezikut të ekstremizmit. Ne si vend i vogël kemi pasur shkuarje në luftëra të huaja, por po ashtu ne kemi parandaluar udhëtimin e disa personave që të shkojnë atje. Problemet dhe lajmet që vijnë nga lufta atje i kanë bërë qytetarët të kuptojnë rrezikun” tha kryeministri Haradinaj.

Duke qenë se Kosova është shtet i ri, kryeministri Haradinaj tha se alternativa që kemi është të shohim se familja është e rëndësishme dhe hapi i parë që duhet të merret në parandalimin e ekstremizmit, është ruajtja e familjes.

“Ne mbështetemi shumë në familje sepse ajo është instituti i parë që duhet të veprojë”, tha kryeministri kosovar.

Megjithatë, kryeministri Haradinaj tha se në Kosovë ka ende punë për t’u bërë.  “Duam të jemi një ekip, të bashkëpunojmë dhe shpresoj që çelësi për sukses është bashkëpunimi  brenda shtetit, bashkëpunimi në mes të kombeve”.

Ai tha se të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se mund të jenë të përdorur nga terroristët, andaj interesi jonë është që të gjithë së bashku të punojmë edhe me organizatat botërore.

Kryeministri Haradinaj theksoi interesimin e Kosovës që në nëntor të bëhet pjesë e Interpolit.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se mizoritë në luftërat e ISIS-it kanë ndihmuar botën që të kuptojë se sa e rrezikshme është kjo ideologji e kamufluar nën petkun fetar,  kështu që ndërgjegjësimi tani për tani është shumë i mirë dhe çdo kush është i vetëdijshëm nga rreziku i terrorizmit.

Para të pranishmëve, në këtë konferencë nga një fjalë e kanë mbajtur edhe kryeministri Edi Rama, princi i Jordanisë Ghazi bin Muhammad dhe kryeministri bullgar Boyko Borissov.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se Shqipëria ka tolerancë të madhe fetare, raporton EO. “Është temë me rëndësi strategjike në një vend si Shqipëria ku toleranca fetare është shumë e madhe. Ky është thesar që duhet ruajtuar dhe duhet ta trajtojmë nevojën për edukimin e gjeneratave më të reja. Unë besoj që kemi mirëkuptim të përbashkët që ta luftojmë radikalizmin dhe ekstremizmin”, tha ai.

Princi i Jordanisë, Ghazi bin Muhammad, tha se duhet angazhim i përbashkët për luftim të ekstremizmit. “Kjo që po thuhet në Shqipëri është një hap pionier, sepse problemet e mëdha janë grumbullim i problemeve të vogla. Kjo që po bën Shqipëria është të zgjidhë problemet rajonale. Në qoftë se nuk e luftojmë së bashku, atëherë ai do të zhvendoset nga vendi në vend. Sfida është sfidë ideologjike dhe është përbrenda islamit dhe nuk mund të zgjidhet jashtë islamit”.

Kryeministri i Bullgarisë, Boykov Borissov, tha se është i nevojshëm bashkëpunimi mes vendeve të rajonit për luftim të ekstremizmit. “Në Ballkan është me rëndësi që të tregojmë që të gjithë jemi të barabartë. Toleranca etnike është i vetmi ilaç për Ballkanin. Është e rëndësishme shtrëngimi i duarve mes Thaçit dhe Vuçiqit në Samitin e Sofjes. Kur në Turqi u inaugurua Kisha e hekurt, ne në Sofje rinovuam xhami, dhe nëse kështu punojmë nuk mund të mbillet fara e terrorizmit. Duhet të zhvillohen reforma në Ballkan”.

 

 

Të ngjashme