Haradinaj: Nëse e heqim taksën tash, do të na kërkohen çmime të tjera

Gjakovë | 29 Jan 2019 | 18:05 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, gjatë përkujtimit të dëshmorëve të rënë në Bishtazhin dhe në Rogovë të Hasit, krahasoi sakrificën e tyre për të mirën e vendit me taksën ndaj Serbisë. Ai përsëriti se Kosova nuk duhet të dorëzohet ndaj presioneve për heqjen e taksës 100 % ndaj mallrave serbe , raporton Ekonomia Online.

“Ju siguroj se nëse ne heqim dorë shpejt nga e drejta jonë, atëherë vendit tonë do t’i kërkohen çmime të tjera. Por nëse vazhdojmë të mbajmë pozicionin e drejtë në interes të vetvetes, atëherë ndodh se do të kalojmë pa çmime të tjera e pa i turpëruar këta që po i kujtojmë sot, pa e turpëruar mundin dhe gjakun e derdhur nëpër dekada”, tha kryeministri Haradinaj.

Nën patronazhin e kryeministrit Haradinaj, u mbajt Akademi Përkujtimore në 20-vjetorin e rënies së dëshmorëve dhe martirëve të rënë në Bishtazhin dhe Rogovë të Hasit.

Para të pranishmëve të shumtë, familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë, përfaqësues të institucioneve vendore, kryetarë të Komunave, kryeministri Haradinaj foli për luftën e lavdishme të luftëtarëve të lirisë, për përpjekjet që me forcën e tyre të organizoheshin në luftën për liri, por edhe për siç tha, ngjarjet e dhimbshme të luftës së UÇK-së, jo vetëm për faktin se u vranë shumë djem, por për faktin se gjithë këta burra të zotë u nisën duarthatë për të marrë armë, e armët që i kishin ua lanë bashkëluftëtarëve të tyre në zonë.

“Kjo tregon dashurinë për lirinë, atdheun, dashurinë për luftëtarin. Në atë kohë të bësh një sakrificë të tillë, të marrësh rrugën e kufirit pa armë, e në uniformë të UÇK-së, është dashur ta vlerësosh në maksimum të vërtetën dhe interesin që të mos e heqësh një armë nga lufta”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se ata të gjithë ishin luftëtarë me përvojë, njerëz të vendosur që të rrugëtojnë deri në ditën e lirisë të vendit të tyre.

Po ashtu kryeministri Haradinaj, tha se rënia e tyre ka qenë e dhimbshme dhe humbje e madhe për zonën e Dukagjinit, dhe sot 20 vjet pas, ky dimension tregon se sa të vendosur dhe sa të dhënë pas lirisë kanë qenë ata që ishin në vijë të luftës dhe se dëshira e tyre për liri dhe qëndrueshmëri e solli Kosovën ku është sot.

“Sikurse të mos ishte puna kështu dhe sikurse më datën 23 mars 1999 do ta deklaronim një lodhje, apo një dorëzim, atëherë a do të ndodhte 24 marsi? Nuk do të ndodhte ju siguroj. Nëse një ditë përpara ne dorëzohemi ose deklarohemi se kaq e kemi insistimin për të drejtën tonë, aty do të ndalemi. Ndryshe thënë, nëse sot e ndalim taksën, ne kemi pajtuar deri këtu dhe kaq jemi për të drejtën tonë, pastaj miku na thotë se vetë jeni ndalur”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se ky vend duhet ta gëzojë të drejtën e vet, pavarësinë e vet, ndërsa Serbia nëse është gati të na njohë edhe ne jemi të gatshëm, por nuk duhet harruar askush se nuk jemi më të dobët sesa në atë kohën kur jemi përballur me Millosheviçin.

“Ju siguroj se nëse ne heqim dorë shpejt nga e drejta jonë, atëherë vendit tonë do t’i kërkohen çmime të tjera. Por nëse vazhdojmë të mbajmë pozicionin e drejtë në interes të vetvetes, atëherë ndodh se do të kalojmë pa çmime të tjera e pa i turpëruar këta që po i kujtojmë sot, pa e turpëruar mundin dhe gjakun e derdhur nëpër dekada”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga rënia e dëshmorët dhe martirëve të kësaj ane, ndjenjat dhe kujtesa janë të freskëta. “Për këto 20 vjet janë rritur fëmijët, nipat e mbesat e të rënëve për liri dhe kjo duhet të na bëjë që të mos e harrojmë se sa e vështirë ka qenë rruga e popullit tonë”, tha kryetari Gjini.

Në emër të bashkëluftëtarëve, nga një fjalë e kanë mbajtur Gegë Lleshi dhe Dervish Tahiri.

Të ngjashme