Haradinaj: Nëse Kosova anëtarësohet në Interpol, humb vetëm krimi

Prishtinë | 06 Sht 2018 | 12:49 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, tha se falënderon vendet mike që 19 vite më parë kur Kosova kishte nevojë më së shumti ato e ndihmuan atë me organizatat e ndryshme siç ka qenë OKB-ja.

“Nëse ka ndonjë polici në botë kaq dashamirëse për polici të tjera dhe organizata të tjera, ajo është e Kosovës”, tha Haradinaj.

Haradinaj falënderoi delegacionet e vendeve të tjera që po marrin pjesë në këtë ceremoni, raporton Ekonomia Online.

“Kosova po ju del zot dhe nuk do të dështojë ndaj askujt. Qeveria iu është përgjigjur kërkesave të juaja buxhetore dhe të drejtën për një pagë të dinjitetshme, ligji i ri e vlerëson policin me pagë të dinjitetshme dhe e respekton atë”, tha ai.

“Ju siguroj që kërkesa që Kosova të anëtarësohet në Interpol e ka një motiv të shenjtë. Duam të jemi me ju, me popujt e lirë, me misionet e ligjit në botë që bashkë të ndihmojë. Nëse Kosova anëtarësohet në Interpol, humb vetëm krimi”, tha ai.

“Është gabim për Republikën e Serbisë të mbajë pozicion kundër për të qenë Kosova anëtare e Interpolit. Është gabim, sepse ne jemi fqinjë dhe afër, gabim për gjitha vendet e botës mos ta ftojnë Kosovën, por me ndihmu me qenë anëtare në Interpol për të qenë të gjithë bashkë”, tha ai.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi tha se policia e Kosovës ka arritur me sukses të bëhet forcë moderne policore.

“Policia e Kosovës ka arritur me sukses të bëhet forcë moderne policore që e kryen punën e saj në zbatimin e ligjit, aftësitë profesionale dhe vlerat morale vetjake dhe të qytetarëve e punonjësve të saj”, tha ai.

Në fund u ndanë mirënjohje për policët më të mirë. Mirënjohjen për shpëtim e mori polici Basri Beka.

Të ngjashme