Haradinaj nga Durrësi: T’i respektojmë kufijtë që i kemi

Durrës | 27 Gus 2018 | 12:46 | Nga Valbona Bytyqi

Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur sërish për temën e korrigjimit të kufijve, një temë e cilat pritet të shtrohet në takimin e radhës, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, që do të mbahet në Bruksel gjatë muajit shtator.

Haradinaj, në një konferencë për media në Durrës, në qytetin ku po mbahet takimi informal i kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, tha se duhet të respektohen kufijtë aktualë, duke lënë të kuptohet që nuk e përkrah idenë e korrigjimit të kufijve, raporton Ekonomia Online.

“Kosova i ka kufijtë e vet, i ka kufijtë me Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë. Ne i respektojmë këta kufij, duhet t’i respektojmë kufijtë që kemi”, tha Haradinaj.

Ramush Haradinaj ka folur edhe për liberalizimin e vizave. Ai tha se mungesa e liberalizimit po e bën të vështirë jetën ekonomike të qytetarëve të Kosovës.

“Kosova po e kryen pjesën e vet për njësimin ekonomik. Njëkohësisht po e ndihmon Ballkanin me infrastrukturën rrugore, jemi me vonesë për hekurudhat, jemi në proces të kyçjes në roaming. Ne kemi ende vështirësi kur kalojmë nëpër Serbi, nuk mund të shkojmë në Bosnje, mungesa e liberalizimit te vizave e bën më të vështirë jetën tonë ekonomike”, raporton Ekonomia Online.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme